MPJ: Komiteti i ministrave të KiE-së të veprojë mbi opinionin e AP-së se Kosova ka përmbushur kushtet

Ministria e Punëve të Jashtme deklaroi se Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës i cili pritet të mblidhet më13 maj duhet të veprojë mbi opinionin e Asamblesë Parlamentare e KiE-së se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtarë.
Zëvendësministri në detyrë Kreshnik Ahmeti tha për RTv21 se ministria e Jashtme ka vazhduar me angazhimin për përmbylljen e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka vazhduar me angazhimin për përmbylljen e procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Vitin e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, me mbështetje prej mbi 80% të delegatëve të saj, dha opinion pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Në atë opinion, ajo theksoi se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim dhe Komiteti i Ministrave duhet të veprojë mbi këtë opinion”, tha Ahmeti për RTV21.
Sipas Ahmetit asnjë mekanizëm tjetër vendor nuk do të mund të ofronte mbrojtje për të drejtat e pakicave sikurse Këshilli i Evropës.
“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të garantonte të drejtat e qytetarëve të Kosovës dhe do të ndikonte pozitivisht edhe në punën e institucioneve vendore të drejtesisë. Për çdo shqetësim eventual mbi të drejtat e minoriteteve në Republikën e Kosovës, duhet t’i referohemi vlerësimit të juristëve eminent të Këshillit të Evropës, të cilët në raportin e tyre theksuan se Kosova jo vetëm që i plotëson standardet ndërkombëtare, por i tejkalon ato. Këshilli i Evropës do të ishte mekanizmi më i mirë për mbrojtjen e këtyre të drejtave” tha ai. /RTV21/
Lexim me zë
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?