Rama: Kosova s’është pronë e Albin Kurtit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për “papërgjegjësi institucionale” dhe “lojë të rrezikshme me funksionimin e shtetit”.
Të shtunën, Kurti kërkoi edhe një herë shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive, për siç tha ai, që t’u jepet kohë negociatave me parti të tjera për postin e presidentit. Ai tha se pa marrëveshje për presidentin, Kosova rrezikon zgjedhje të reja. E seanca e sotme u mbajt përtej afatit kushtetues që kërkon që Kuvendi të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Seanca u përcoll edhe me tensione. Deputetja e Aleancës Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
Në një reagim, Rama që në zgjedhje ka fituar duke përfaqësuar LDK-në, ka thënë se “Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit”.
“Kushtetuta nuk është mjet për manipulime politike… Ajo që po shohim në Kuvendin e Republikës së Kosovës është papërgjegjësi e rëndë institucionale dhe një lojë e rrezikshme me funksionimin e shtetit. Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt”, ka shkruar Rama në Facebook.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?