KDI: Sinjalizuesit duhet të mbrohen, jo të persekutohen

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ku dje është larguar nga puna sinjalizuesi publik i përfshirë në zbulimin e skandalit lidhur me rezervat shtetërore.
”Përmes mediave, është kuptuar se sinjalizuesi publik Ermal Kutllovci, i përfshirë në zbulimin e skandalit lidhur me rezervat shtetërore, është përballur me masa disiplinore – largim nga puna, me arsyetimin se ka shkelur detyrat dhe përgjegjësit brenda institucionit. Kutllovci, duke shërbyer si zyrtar përgjegjës për cilësinë e naftës dhe produkteve të naftës në Departamentin e Rezervave Shtetërore në MINT ka treguar se në vazhdimësi ka raportuar tek eprorët e tij, përfshirë edhe ministren në detyrë, mbi shkeljet dhe parregullsitë sa i përket furnizimit me rezerva shtetërore”, thuhet në reagimin e KDI-së.
KDI, bënë thirrje që masat e tilla ndëshkuese të mos shqiptohen nga insitucionet ndaj punonjësve që sinjalizojnë mbi keqpërdorimet dhe parregullsitë në vendin e punës, e aq më pak kur të njëjtit raportojnë mbi çështje që prekin interesin publik. Sipas KDI-së, sinjalizuesit në Kosovë kanë mbrojtje të garantuar me ligji nga çdo veprim i dëmshëm që vjen si pasojë e sinjalizimit.
Analiza e fundit e KDI-së e publikuar në dhjetor të 2023, “(Mos)zbatimi i ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve në sektorin ekzekutiv” shpërfaqë që institucionet e qeverisë në përgjithësi nuk ofrojnë infrastrukturë fizike të përshtatshme që do të inkurajonte punëtorët e sektorit publik të sinjalizonjë mbi keqbërjet. Kjo ka qenë një ndër shkaqet kryesore që rastet e sinjalizimit të brendshëm nëpër disa ministri të jenë minimale ose inekzistente./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?