Bexheti paralajmëron: Nga vjeshta do të kemi sistem tjetër politik

(Lajm i përditësuar)
Bexheti paralajmëron: Nga vjeshta do të kemi sistem tjetër politik
Analisti Nuri Bexheti në “Click” të RTV21 ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk pritet t’i bashkohet një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje deri në vjeshtë.
Sipas Bexhetit, një nga arsyet është qasja që, sipas tij, LVV-ja ka pasur gjatë dy viteve të fundit, duke mos qenë e gatshme të bëjë “pazar politik” për të siguruar vazhdimësinë në pushtet.
“PDK deri në vjeshtë nuk bëhet pjesë e koalicionit me LVV-në, për arsye se VV-ja në dy vitet e fundit nuk ka dashur të bëjë pazar politik për me e mbajtë pushtetin. Nga vjeshta do të kemi sistem tjetër politik”, tha Bexheti.
Bexheti kritikon Abdixhikun: Si është e mundur që pas 3 orësh takim të thuash se keni folur për parime?
Analisti Nuri Bexheti ka komentuar deklarimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas takimit të tij me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Bexheti ka kritikuar deklaratën e Abdixhikut se në takimin që zgjati rreth tri orë janë diskutuar parimet, duke ngritur pikëpyetje rreth përmbajtjes së këtij takimi.
“Si është e mundur tri orë në takim ke qenë dhe të dalësh para gazetarëve të thuash kemi folur për parime? Çka janë ato parime, kur të gjithë e dinë se Kosova është në ngërç?”, tha Bexheti.
Bexheti: VV-ja më parë do ta pranonte të propozuarin e Listës Serbe sesa Lutfi Hazirin
Analisti Nuri Bexheti, në emisionin “Click” të RTV21, ka komentuar qëndrimet e partive politike ndër vite lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Duke folur për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kandidatëve për president, Bexheti përmendi rastin kur, sipas tij, Kosova kishte propozuar Adem Demaçin për këtë pozitë.
“Kur Kosova ka propozuar zotin Demaçi, një burrë që kishte bërë 30 vite burg për Kosovën, a e dini cili ka qenë qëndrimi i VV-së? Po e citoj VV-në: ‘Më parë pranojmë propozimin e Serbisë për president sesa një të propozuar të PDK-së’”, tha Bexheti.
Ai më tej përmendi edhe figurën e Lutfi Hazirit, duke e vlerësuar kontributin e tij për Kosovën.
“Po, më përpara pranojnë të propozuarin e Listës Serbe për president sesa kalibrin e një njeriu si Lutfi Haziri, i cili ka dhënë kontribut për Kosovën”, shtoi Bexheti.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?