Kaloni te përmbajtja kryesore

Vdekja e 27 vjeçarit, hetime për rastin, IPK jep detaje për RTV21

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në përgjigjet e tij për emisionin Click të RTV21 ka konfirmuar se ka nisur hetime të pavarura dhe të gjithanshme. IPK tha se i “trajton me prioritet rastet e kësaj natyre” dhe se do të adresojë “çdo përgjegjësi eventuale individuale apo edhe institucionale bazuar në gjetjet e hetimit dhe autorizimet ligjore”.

Përgjigja e plotë e IPK për RTv21:

IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit që nga dje ka filluar një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor për incidentin që kishte ndodhur pas mesnatës së datës 7 korrik 2025 në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.

Në kuadër të veprimeve hetimore përveç tjerash është përfshirë identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okular të këtij rasti , mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil.
Që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti por edhe mënyrës së reagimit policor.
Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK dje fillimisht i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor( përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).
Më vonë gjatë orëve të mbrëmjes të djeshme , me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë janë ftuar për intervistim në IPK në cilësinë e të dyshuarve pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor (një rreshter dhe katër zyrtarë policorë).

Pas intervstimit të tyre dhe pas administrimit edhe me dëshmitë e tjera që janë siguruar pas veprimeve hetimore, që të pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Në kuadër të hetimit pritet të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.

Inspektorati Policor i Kosovës trajton me prioritet të lartë rastet e kësaj natyre dhe çdo përgjegjësi eventuale individuale apo edhe institucionale do të adresohet bazuar në të gjeturat e hetimit dhe autorizimet ligjore të IPK-së dhe ligjeve të tjera në Republikën e Kosovës.

Pas këtij incidenti dhe rasteve tjera ku qytetarët pretendojnë për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës duhet ndërmarrë veprime dhe analiza për të identifikuar faktorët që mund të kenë ndikuar në nivelin e profesionalizmit të zyrtarëve policorë.
Këto veprime dhe analiza do të përfshinin por pa u kufizuar në rishikimin dhe rifreskimin e procedurave standarde per përdorimin e forcës, rishikim te kurrikulave dhe materialeve të trajnimit për përdorimin e forcës, vlerësimi i teknikave të arrestimit, vazhdimi i fuqizimit të kapaciteteve profesionale në de-eskalim dhe menaxhimin e situatave kur kërkohet përdorimi i forcës, trajnime shtesë më skenarë të simuluar të arrestimeve të komplikuara, të merren parasysh nevojat për vlerësime psikologjike sidomos për zyrtarët që ballafaqohen me situata me rrezik të lartë për jetën etj.
Përveç tyre IPK do të mirëpriste zgjerimin e projektit të kamerave trupore sidomos tek njësitet që kanë kontakte të shpeshta dhe të drejtpërdrejta me qytetarë si dhe implementimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i inspektimit për kamerat trupore por edhe rekomandimet nga raportet e tjera të inspektimit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button