Shtrenjtimi i rrymës, KMDLNJ fton qytetarët të protestojnë më 5 prill

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar lirimin e 12 aktivistëve të arrestuar nga policia, pasi ata po protestonin kundër paralajmërimit rritjes së çmimit të energjisë elektrike prej së paku 15 për qind, gjë e cila pritet të vendoset më 11 prill në mbledhjen e ZRRE-së.
KMDLNJ përkujton se kjo është rritja e tretë e çmimit të rrymës gjatë mandatit 4-vjeçar të Qeverisë Kurti 2 që nënkupton se rritja e tretë e çmimit të rrymës e kompleton shifrën prej 146 për qind.
KMDLNJ po ashtu përkujton opinionin se ZRRE për 15 vjet ka fryrë faturat e qytetarëve për të kompensuar shpenzimin e rrymës nga ana e serbëve, gjë që e ka konstatuar edhe gjykata kompetente duke marrë vendim që të kompensohen e që ZRRE nuk e ka bërë.
KMDLNJ thotë se Qeveria e Kosovës ka dalë me një propozim mashtrues dhe diskriminues duke përkrahur rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët që shpenzojnë mbi 800 Kw në muaj që rëndë e shkelë parimin kushtetues për trajtim të barabartë dhe jo diskriminues të qytetarëve e që është në kundërshtim të plotë me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
KMDLNJ fton qytetarët e Kosovës që të dalin në numër sa më të madh në protestën e paralajmëruar më 5 prill për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe për të kërkuar përgjegjësi nga ZRRE dhe për mos kompensim të dëmit të bërë.
Njëherësh, KMDLNJ fton Policinë e Kosovës që të mos instrumentalizohet nga politika dhe të mos pengojë protestat paqësore, duke theksuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të prodhojë efekte zinxhir duke rritur çmimet e të gjithë artikujve tjerë dhe shërbimeve.
“Dilni sa më shumë në protesta, mos iu jepni ngjyrime politike dhe mos bini nën ndikime politike, por protestoni ekskluzivisht kundër rrezikimit flagrant të standardit duke kërkuar në të njëjtën kohë indeksimin e çmimeve dhe rritjen e pagave, pensioneve, asistencës sociale si kusht për ta përballuar inflacionin. Kërkoni të hiqet taksa fikse prej dy eurosh për çdo njehsor në Kosovë dhe kërkoni përgjegjësi për këtë”, përfundon reagimi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?