Serbia ia vazhdon paraburgimin edhe për një muaj ish-policit Arbnor Spahiu

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se ish-policit Arbnor Spahiu i është vazhduar paraburgimi është për një muaj në Serbi.
Sipas MPJD, avokati ka njoftuar se i ka dorëzuar gjykatës të gjitha dokumentet përkatëse të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe dokumentacionet që dëshmojnë se Spahiu e kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjes së Banjskës.
“Duke marrë parasysh vendimin për vazhdimin e paraburgimit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë formale për lejimin e vizitës tek z. Spahiu, miratimi i të cilës pritet të bëhet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme”, thuhet tutje në njoftim.
Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 dhe ndaj tij u shqiptua masa fillestare e paraburgimit më 9 qershor.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?