Raportohet për disa të arrestuar në aksionin në Kaçanik i ndërlidhur me vrasjen e rreshterit Muhamed Lika

Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës në Kaçanik i ndërlidhur me rastin e vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika, mediat po raportojnë se në pranga kanë rënë shtatë persona.
Ky operacion, i shtrirë në të gjitha pikat kyçe të qytetit të Kaçanikut, u realizua nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës, me njësitë e saja relevante pas hetimeve intensive, sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar një operacion policor, i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika në Kaçanik. Pas përfundimit të operacionit policor, do të bëhen publike informacione shtesë”, ka thënë Kelani për portalin rtv21.tv
Ndërkaq në një njoftim të dytë, policia bëri të ditur se bashkë me Prokurorinë do të mbajnë konferencë për media në ora 11:30.
“Sot, më 21.04.2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë do të mbaj një konferencë për media ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit në komunën e Kaçanikut dhe i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së Rreshterit policor Muhamed Lika. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend HOXHA, Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj z. Burim Çerkini”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?