Kaloni te përmbajtja kryesore

Policia aksion në dy laboratore në Fushë Kosovë, arreston dy persona

Policia e Kosovës ka arrestuar dy pronarë laboratorësh të analizave biokimike në Fushë Kosovë, të cilët dyshohet se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas Policisë, hetimet kanë filluar pas pranimit të informatave relevante që tregonin për zhvillimin e veprimtarive të paligjshme në këto subjekte shëndetësore, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar sipas kërkesave ligjore. Në kuadër të hetimeve janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore, të cilat kanë mundësuar mbledhjen e provave materiale që mbështesin dyshimet fillestare.

“Gjatë operacionit të kontrollit në terren, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, që kanë rezultuar me mbylljen e funksionimit të aktivitetit të këtyre laboratorëve.

Në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim”, njofton policia.

Po ashtu, dy persona (pronarë të dy laboratorëve) janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente, konfirmon policia.

Të gjitha veprimet janë realizuar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Hetimet janë në vazhdim dhe institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, thuhet tutje në njoftim.

“Inkurajojmë qytetarët që të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e shërbimeve shëndetësore dhe të raportojnë çdo dyshim për veprimtari të paligjshme pranë autoriteteve përkatëse”, apelon policia.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button