Kaloni te përmbajtja kryesore

​OEAK: Liberalizimi i papërgatitur i tregut të energjisë po shkakton dëmet e saj

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimin e saj të thellë përkitazi me pasojat e liberalizimit të vazhdueshëm të tregut të energjisë elektrike dhe i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta ndërpresë urgjentisht procesin e nisur më 1 qershor, derisa të përmbushen parakushtet thelbësore.

Në një reagim Oda Ekonomike Amerikane përsërit thirrjen e saj drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme korrigjuese duke ndërprerë procesin e liberalizimit derisa të krijohet një treg funksional dhe konkurrues, si dhe derisa të vendosen masa mbështetëse kalimtare.

Paralajmërimet e përfaqësuesve të sektorit privat tashmë po bëhen realitet, meqë pak ditë prej kur ka hyrë në fuqi liberalizimi i tregut, të paktën dy kompani prodhuese kanë njoftuar pezullimin e operacioneve, duke përmendur kostot e energjisë elektrike dhe paqëndrueshmërinë e krijuar si arsye kryesore, ndërsa institucionet shtetërore janë informuar për këto zhvillime, thuhet në reagim.

Kjo konfirmon se liberalizimi, siç ka nisur të zbatohet, nuk është vetëm i parakohshëm, por po dëmton edhe aktivitetin ekonomik të Kosovës dhe klimën e investimeve.

Derisa liberalizimi mbetet një domosdoshmëri strategjike në rrugën e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe të BE-së në energji, ky tranzicion duhet të menaxhohet me përgjegjësi, transparencë dhe me përgatitje nga të gjitha palët, rikujton Oda Ekonomike Amerikane.

Deklarimet e publikuara dje në mediat e Kosovës e që u atribuohen Bashkimit Evropian theksojnë qartazi këtë pikë: liberalizimi duhet të jetë gradual dhe i menaxhuar në një mënyrë që minimizon çrregullimet sociale dhe ekonomike, thuhet tutje në reagim.

Ashtu siç është thënë disa herë nga Oda Amerikane dhe nga hisedarët e tjerë që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, liberalizimi ka ndodhur pa përmbushjen e kritereve të nevojshme të tregut, në kushte të konkurrencës së kufizuar në aspektin e furnizimit, duke vendosur një barrë të papërballueshme mbi bizneset e mëdha.

Kujtojmë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka dorëzuar zyrtarisht padinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të shkeljeve të rënda ligjore dhe procedurale në vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Dhoma beson se ky vendim i ZRRE-së është i nxituar, arbitrar dhe i papërgatitur mirë, me pasoja të drejtpërdrejta për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve që do të preken nga ky vendim.

Bizneset të enjten e kaluar protestuan në të gjitha hyrjet e Prishtinës kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për daljen e detyrueshme të ndërmarrjeve në tregun e lirë të energjisë – një vendim që sipas komunitetit të biznesit, rrezikon stabilitetin ekonomik, prodhimin vendor dhe vendet e punës.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button