Kaloni te përmbajtja kryesore

Murati: Rama po përpiqet t’i mbulojë dështimet me viktimizim

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po mundohet që dështimin e tij dhe të LDK-së për 4 vjet në Prishtinë, t’i mbulojë dhe arsyetojë me viktimizim. Këtë reagim ai e ka bërë pasi që Rama, bashkë me nënkryetarin Shkëmb Manaj, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë-padi ndaj Muratit për çështjen e buxhetit të kryeqytetit.

Rama e ka akuzuar Ministrinë dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj kryeqytetit.

Sipas Muratit, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin brenda afateve.

“Çfarë ka ndodhur me buxhetin e Komunës së Prishtinës? Qe faktet: Më 30 shtator 2024, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë projekt-buxhetin e vitit 2025 sipas afatit ligjor. Por as deri më 31 tetor Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë projekt-buxhetin komunal, para se ligji të dërgohet në Kuvend. Pra i ka ikur edhe mundësia e dytë që Komuna e kishte”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai ka thënë se më 31 tetor 2024, Ministria e Financave është detyruar ta dërgojë buxhetin e konsoliduar për miratim në Qeveri e pastaj në Kuvend, “pa e përfshirë projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës i cili nuk ishte miratuar në asamble komunale”.

“Me 5 dhjetor 2024 Kuvendi kishte mbajtur seancën e fundit plenare të Legjislaturës së 8-të. Tek me 9 dhjetor 2024, Përparim Rama dhe Komuna e Prishtinës arrijnë ta miratojnë projekt-buxhetin në asamble komunale. Pra Përparim Rama e kishte miratuar projekt-buxhetin në asamble, tek pasi i kishin ikur të gjithë trenat e mundshëm për ta futur buxhetin komunal në Ligj të Buxhetit”, ka shkruar Murati.

Në këtë situatë, sipas tij e vetmja zgjidhje për përfshirje të projekt-buxhetit komunal në Ligj të Buxhetit është ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit në legjislaturën e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button