MPJD: Do të shfrytëzojmë të gjitha kanalet diplomatike që Spahiu të lirohet sa më parë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të Arbnor Spahiut, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Tutje thuhet se Kosova do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që Spahiu të lirohet sa më pare.
Ministria thotë se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike te vendeve te Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë.
“Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se Ambasadori Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, do të udhëtojnë nesër, më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.
Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?