Kurti shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në bisedën me Von der Leyen

(lajm i përditësuar)
Kurti shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, në bisedën me Von der Leyen
Nga komunikata e Qeverisë bëhet e ditur se kryeministri Kurti e falënderoi presidenten Von der Leyen për mbështetjen ndaj Kosovës për zhvillim ekonomik, demokraci moderne dhe drejtësi ligjore, si dhe e njoftoi atë për arritjet dhe sukseset e vendit tonë në shumë fusha.
Kurti tha se shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, sepse “me padurim presim që t’i marrim pyetjet e shumta nga Komisioni Evropian dhe t’ju përgjigjemi atyre sinqerisht me reforma të thella të brendshme, si shteti më pro-evropian i Ballkanit Perëndimor që jemi”.
Në këtë bashkëbisedim u diskutua edhe për domosdoshmërinë për deeskalim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes zbatimit të Marrëveshjes Bazike.
Më tej, Kurti e informoi presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Ai shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna.
Von der Leyen flet me Kurtin, thekson nevojën urgjente për deeskalim dhe kthim në dialog
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka biseduar mëngjesin e sotëm me kryeministrin Albin Kurti, në lidhje me situatën në veri.
Von der Leyen tha se gjatë bisedës, Kurtit ia theksoi nevojën urgjente për deeskalim dhe kthim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Do të flas me presidentin Vuçiq më vonë sot”, shkroi Von der Leyen në Twitter. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?