Kurti, Konjufca e Sveçla festojnë në konakun e Hetemit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i kanë shkuar në konak kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit.
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se Hetemi atyre u tregoi për punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, për rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar.
“Para tri ditëve, kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, doli nga zyra e tij dhe e vizitoi kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiqin. E ky ia ktheu sonte vizitën në shtëpinë e Lulzimit ku ishin mbledhur familja e gjerë e tij. Me Erdenin ishim edhe ne: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe, unë”, shkroi Kurti.
“Na njoftoi për aq shumë palë që i pret gjatë ditës, përditë, çdo orë. Ua dëgjon me vëmendje ankesat e kërkesat dhe i shqyrton ato me seriozitet e i trajton me shpejtësi. Serbishtja e tij nuk është aq e mirë, ashtu qysh nuk është e mirë as shqipja e serbëve në Leposaviq, mirëpo shumë mirë po merren vesh sepse e kanë qëllimin e mirë, interesimin e njëmendtë dhe interesin e përbashkët për mirëqenie dhe të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim. Lulzim Hetemi është udhëheqës i drejtë dhe punëtor”, shtoi tutjej shefi i qeverisë.
Ai theksoi se pasi e kanë përfunduar vizitën, Hetemi është kthyer në zyrën e tij në Leposaviq.
“Pas kësaj vizite sonte në familjen e Lulzim Hetemit, ne u kthyem në Prishtinë për të vazhduar festën, ndërkaq ai u nis për në zyrën e tij në Leposaviq për të punuar dhe festuar me disa kolegë të tij si dhe me policët tanë e ushtarët e KFOR-it amerikan”, ka shkruar Kurti ndër tjera në Facebook.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?