Korenica ngre çështjen e nxënëses me shami në Pejë, Konjufca i kujton fushatën elektorale

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica ka ngritur shqetësimin se një nxënëseje në Pejë i është ndaluar ndjekja e mësimit për shkak të bartës së shamisë. Sipas tij, është e padrejtë të vijohet seanca plenare, nëse ministrja e Arsimit nuk merret me këtë rast. Pas deklarimit të tij ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili i tha se fushata fillon në janar.
Deputeti Visar Korenica i ka bërë thirrje ministres Arbërie Nagavci që të merret me këtë rast dhe që të mos lejojë një gjë të tillë.
“Ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimor në Pejë. Dhe është e moshës madhore, i ka 18 vjet. Çdo të dytën ditë, tretën ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori dhe unë nuk e kuptoj se sa e drejtë është që ne të qëndrojmë këtu si deputetë, juve si kuvendar në krye të kuvendit, por edhe vet ministrja e Arsimit e të mos merret me rastin dhe t’i jep të drejtën vajzës për të shkuar në shkollë. Ne e kemi këtë përgjegjësi kolektive këtu edhe si deputetë por edhe juve si kryetar i kuvendit. Dhe nuk ka kuptim për të vazhduar me procesin e votimit edhe mos me u marrë edhe mos me trajtu këtë rast. I qoj mesazh drejtpërdrejt ministres së Arsimit që të merret me rastin dhe të mos lejojë që të njëjta probleme çdo vit me na u paraqit për një faj të cilin ne e kemi trashëguar nga dikush tjetër që e ka vendos në fuqi një udhëzim diskriminues administrativ”, deklaroi ai.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Korenica po bën fushatë, teksa i ka tërhequr vërejtjen për deklarim jashtë rendit të ditës.
“Unë si kryetar i kuvendit pra pasi po kërkon me qenë profesional duhet me ta tërhjek vërejtjen që ishe jashtë rendit të ditës, e para. Dhe besoj që fushata fillon ka 6-7 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme për t’i ngritur të gjitha problemet”, ka reaguar Konjufca.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?