Haradinaj-Vetëvendosjes: Votuesi siç ua dha pushtetin, ashtu edhe mund t’ua marrë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA kanë bërë bashkë forcat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Të dyja këto parti sot zyrtarizuan koalicionin e tyre parazgjedhor e për të cilin thanë se mund t’i bashkëngjiten edhe subjektet apo nismat e tjera politike në vend.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj tha se qytetarët e vendit kanë mbetur të pa përfaqësuar e të luftuar nga Qeveria Kurti.
Ai tha se buxheti i Kosovës “po mbahet në bunker” nga Qeveria Kurti dhe se nuk investohet te qytetarët, dhe për këtë arsye AAK dhe NISMA kanë zgjedhur t’i bashkojnë forcat për ndryshim të kësaj gjendjeje.
Kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj tha se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e të gjithë forcave politike, të cilat dëshirojnë të shohin ndryshe zhvillimin e vendit. Gjithashtu ai ceku se orientimi i tyre i përjetshëm janë integrimet evropiane dhe NATO.
AAK dhe NISMA u bënë thirrje grupeve politike, shoqatave që të bashkohen së bashku dhe të ofrojnë një dinamikë të re për vendin.
Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë frontin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, thuhet në tekst.
AAK dhe NISMA Socialdemokrate garojnë në një listë të përbashkët dhe marrin përsipër që të harmonizojnë platformën politike dhe programin për zgjedhjet e përgjithshme kurdo që ato të mbahen.
Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni specifikohen me një aneks të veçantë që do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje, përfundon deklarata e përbashkët e AAK-së dhe NISMA Socialdemokrate e Kosovës.
AAK e NISMA ishin në opozitë 2015-2017, ndërsa nga 2017-2019 në bashkëqeverisje, ku Ramush Haradinaj ishte kryeministër dhe Fatmir Limaj zëvendës i tij.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?