BE: Festa në RS është ilegale, do të ketë pasoja për shkeljen e integritetit të Bosnjës

Bashkimi Evropian e konsideron 9 janarin, që në Republikën Sërpska – entitetin serb në Bosnje e Hercegovinë – konsiderohet si Dita e Republikës Sërpska, si festë antikushtetuese.
Kështu tha të martën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili përsëriti se blloku evropian e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës si shtet të bashkuar, duke theksuar se në Bruksel dënojnë çdo përpjekje apo retorikë ndarëse.
“Pozicioni i BE-së ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë i qartë për Bosnje e Hercegovinën. Ai pozicion është sovraniteti, integriteti territorial dhe rendi kushtetues duhet të respektohet. Të gjithë në Bosnje e Hercegovinë duhet ta kenë parasysh këtë. Të gjithë duhet të përmbahen nga retorika që vë në dyshim këto parime, sidomos në Republikën Sërpska”, tha Stano.
Sa i përket cilësimit të 9 janarit si festë jokushtetuese, Stano tha se ky cilësim bazohet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.
“Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësi e mirë janë vlera dhe kushte që duhet të respektohen nga të gjitha shtetet e rajonit që duan të integrohen në BE. Veprimet, deklaratat, apo gjestet që kanë ndikim negativ në bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, që ndikojnë në thellimin e ndasive nuk ndihmojnë. Bëjmë thirrje, sidomos për Serbinë, që të veprojë me përgjegjësi dhe të mos vë në dyshim këto parime”, tha Stano, duke paralajmëruar se për ata që bëjnë veprime kundër integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës do të ketë pasoja serioze.
Ai u pyet për pasojat e mundshme, pasi lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka bërë kërcënime të vazhdueshme për shkëputjen e entitetit nga Bosnja.
“Pasojat mund të jenë ato për të cilat do të pajtohen vendet anëtare. Ato mund të jenë personale, mund të jenë financiare, ekonomike apo të ndonjë lloji tjetër. Tashmë e kemi platformën për sanksione në rastin e Bosnje e Hercegovinës. Dhe kur të vlerësohet nga vendet anëtare se kemi arritur në momentin kur duhet thënë mjaft, atëherë mund të vendoset për të”, tha zëdhënësi i BE-së.
Ndërkaq, lideri i këtij entiteti, Millorad Dodik, ka përsëritur mundësinë e shkëputjes së entitetit serb nga Bosnje e Hercegovina. Këto deklarata janë dënuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./REL
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?