Zyrtarë nga PDK, LDK e AAK kërkojnë dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari

(Lajm i përditësuar)
Tahiri: Sot do të duhej të kishim shkarkimin e ministres Hajdari
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka komentuar arrestimet e sotme lidhur me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Tahiri ka thënë se sot do të duhej të shkarkohej ministrja Rozeta Hajdari.
“Arrestimet e sotme vijnë si rezultat i punës së mediave dhe policisë së Kosovës. Andaj, në funksion të mundësimit të një hetimi të plotë dhe ku Qeveria nuk shihet si pengesë, po sot do të duhej të kishim shkarkim të ministres, Hajdari. Fundja, i gjithë ky rast i abuzimit me mjete shtetërore dhe me ligjin, asocohet me emrin dhe nënshkrimin e saj, përderisa sekseri për këtë skandal korruptiv u lidh drejtpërdrejt me emrin e kryeministrit Kurtit”, ka thënë Tahiri.
Mustafa: Duhet hetim për lidhjet kriminale të zyrtarëve të LVV-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka thënë se arrestimet që janë zhvilluar të premten nuk mjaftojnë dhe se duhet hetime, për siç ka shkruar ai, lidhjet kriminale të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka radhitur një numër zyrtarësh të LVV-së, që ka thënë se janë të përfshirë në raste të ndryshme.
“Rozeta Hajdari miliona euro për grurë e vaj që s’ka ardhë kurrë. Martin Berishaj pranon miliona euro nga Beogradi për tregti me energji. Nagip Krasniqi arrestohet për tendera dhjetëra milionë euro në KEK. Faruk Mujka ish-nënkryetar i Mitrovicës arrestohet dhe i gjinden 60.000 euro cash në shtëpi. Hysen Muzliukaj ish-drejtor në Mitrovicë dhe këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë i arrestuar për keqpërdorim të detyrës. Liridon Fandaj asambleist në Suharekë i arrestuar për vjedhje të subvencioneve të bujqësisë. Besnik Mujeci asambleist në Prishtinë i arrestuar për trafikim droge. Berat Lahu asambleist në Prishtinë i përfshirë në rastin Brezovica”, ka shkruar Mustafa.
Pas zhvillimeve të sotme ku u arrestuan tre persona në lidhje me aferën e rezervave shtetërore, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur një konferencë për media.
Deliu-Kodra: Aksioni në MINT ka kuptim vetëm nëse shkarkohet Hajdari
Pas aksionit që organet e drejtësisë kanë zhvilluar në Ministrinë e Industrisë dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, ka reaguar Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu-Kodra.Sipas saj ky aksion do të ketë kuptim vetëm nëse shkarkohet ministrja Rozeta Hajdari.
“Shoqërimi në polici i Hafizit e Irfanit dhe bastisja e pronave të Ridvan Muharremit për ‘Aferën Gruri&Vaji’ në MINT, kanë kuptim vetëm nëse shkarkohet edhe Rozeta Hajdari. Nuk mund t’i iket përgjegjësisë politike në një skandal të madh si ky. Rozeta, si udhëheqëse e këtij dikasteri, është fillimi dhe fundi i problemit. Kryeministër, fjala është për ty!”, ka shkruar Deliu-Kodra./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?