Reagon Kurti: S’ka kurrfarë keqpërdorimi, humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike

(Lajm i përditësuar)
Kurti: S’ka kurrfarë keqpërdorimi, humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike
Kryeministri Albin Kurti përmes një videomesazhi në rrjetet sociale reagoi për ngajret e fundit në MINT
Ai mohoi të ketë keqpërdorimi e korrupsion.
Kurti e mbështeti ministren Rozeta Hajdari duke thënë se rezervat shtetërore i ka gjetur 300 mijë euro e se Qeveria e tij i ka bërë 25 milionë euro për dy vjet, raporton portali rtv21.tv
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha i.
Më tej ai hodhi akuza edhe te prokurorët , prokurorët e gjykatësit duke thënë se po përpiqen ta kthejnë ‘sistemin e korruptuar”, tha ai
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare. Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe. Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës”, deklaroi kreu Qeverisë.
Hajdari e pranon se në 2022-tën një sasi e rezervave shtetërore u vonua
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, pranoi se janë bërë pagesa në avans për furnizim me mallra në rezervat shtetërore.
“Në shkurt, qeveria mori vendim që të rrisë buxhetin për rezerva shtetërore dhe mori vendim për përjashtim nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkte të rezervës shtetërore, sipas Ligjit për Rezerva Shtetërore”. “Nga kontratat për furnizim për blerjen e rezervave shtetërore, vetëm 3% e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa, për të cilat vonesa, më 8 qershor 2023 është njoftuar Avokatura Shtetërore për inicim të procedurave gjyqësore”, tha Hajdari.
Hajdari: Nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se nuk sheh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje nga posti i saj, pas ngjarjeve të fundit ku dy zyrtarë të kësaj ministrie dhe një biznesmen janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale, “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
“Sa i përket dorëheqjes sime, unë s’e shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe të them me përgjegjësi e siguri të plotë, dhe nuk shoh asnjë arsye e as thjesht dyshim te zyrtarët që janë të ndalur sot”, tha ajo, përcjell portali rtv21.tv
Ajo u shpreh se ndihet krenare për sic tha sigurimin e popullit të saj gjatë kohës së luftës në Ukrainë.
Hajdari akuzon Policinë se kërkesën për dorëzim të provave e ka bërë në kundërshtim me ligjin
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me ngjarjet e fundit në ministrinë që ajo udhëhq akuzoi Policinë e Kosovës se në këtë ministri kërkesën për pranim-dorëzim të provave i ka bërë kundërligjshëm.
“Si ministre e MINT-it, pres që organet e hetimit të mos e cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë bëhet fjalë për rezerva shtetërore sepse gjatë hetimeve, dokumentet që janë marrë nga policia në MINT janë klasifikuar si sekrete shtetërore, ndërsa Policia e Njësisë Hetuese nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete, pra kërkesa e policisë për pranim-dorëzim të këtyre provave ka qenë në kundërshtim me ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, tha Hajdari, përcjell portali rtv21.tv
Arrestimet në MINT, Rozeta Hajdari thirr konferencë për media
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) Rozeta Hajdari sot do të mbajë konferencë ku do t’i informojë media/gazetarët për ngjarjet e fundit në MINT, ka njoftuar Ministria.
Konferenca mbahet në objektin e kësaj ministrie në orën 18:00.
MINT: Mirëpresim hetimin, duhet të hetohen edhe motivet për keqinformim
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka deklaruar se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, edhe pse shkruan se janë “të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.
Në reagimin e ministrisë thuhet se “për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku”.
“Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”, thuhet në reagim.
Reagim i MINT vjen pasi me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia ka realizuar bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar biznesmenin Ridvan Muharremi, drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara si dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, thuhet në reagimin e MINT.
Dërgohen në mbajtje dy zyrtarët e MINT-it dhe Muharremi
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar se është arrestuar Ridvan Muharrem dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.
Sipas njoftimit të Prokurorisë të arrestuarit dyshohen për dy vepra.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L. Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.
Dy pako me prova, Policia largohet nga Ministria e Tregtisë
Pas disa orëve bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, policia e Kosovës ka braktisur objektin e Ministrisë
RTV21 nga vendi i ngjarjes ka sjellur pamje ku shihet Policia e Kosovës duke vendosur brenda veturës dy pako, që me shumë gjasë janë me të mbushura me prova.
Bastisje në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, arrestohen dy zyrtarë MINT-it e një biznesmen
Avokati i Ridvan Muharremit: S’ka urdhër arrest
Avokati i biznesmenit Ridvan Muharremi, Mahmut Halimi, ka thënë se ende nuk ka urdhërarrest për klientin e tij, i cili është arrestuar dhe është dërguar në Prokurori për dhënie të deklaratës.
Ai ka akuzuar se mbrëmë ka pasur rrjedhje të informacionit se sot do të ketë bastisje si rrjedhojë e publikimit të incizimeve për dyshime për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
“Ende nuk ka urdhërarrest për klientin tim. Unë çka jam i shqetësuar është se nuk e di kah po vijnë informatat. Qysh mbrëmë në ora 23:15 disa persona kanë thënë se do të ketë bastisje. Kjo nuk guxon me ndodh në një shtet normal. Të gjitha informacionet tjera do t’ua japim me kohë. Nuk dua ta dëmtoj procesin e organit të Prokurimit, as klientin tim. Sapo ta jap ai deklaratën në Prokurori, do t’iu njoftoj. Policia i ka marrë ato çka mendojnë se mund të shërbejnë si prova në procedurë”, tha Halimi.
Policia e Kosovës sot ka arrestuar afaristin Ridvan Muharremin për aferën e rezervave shtetërore. Gjithashtu janë arrestuar edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) pas bastisjes së këtij dikasteri nga Policia e Kosovës.
Siç po raportohet zyrtarët e arrestuar janë punonjës të kësaj ministrie që janë përmendur në përgjimet e publikuara.
Aksioni i sotëm po zhvillohet me kërkesë të Prokurorisë
Policia e Kosovës për RTV21 ka thënë se aksioni i sotëm po zhvillohet me kërkesë të Prokurorisë.
Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore.
Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit.
Bastisje në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe në lokalin e shtëpinë e Ridvan Muharremit
Mëngjesin e sotëm, Policia ka nisur bastisje në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Raportohet se bastisja vjen pas publikimit të incizimeve rreth aferës vaji dhe gruri.
Gjithashtu Policia ka filluar një aksion edhe në lokalin e shtëpinë e Ridvan Muharremit, i përfshirë në skandalin e vajit.
Portali RTV21 ka kontaktuar policinë e Kosovës lidhur me këtë rast por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?