“Pse bash Vjosa Osmani?”, Arifi: Çka ka Lumir Abdixhiku që nuk bëhet president, çka ka Luta?

(Lajm i përditësuar)
“Pse bash Vjosa Osmani?”, Arifi: Çka ka Lumir Abdixhiku që nuk bëhet president, çka ka Luta?
Avni Arifi nga AAK-ja në ”Click” të RTV21 ka folur për mundësinë e mbështetjes së një kandidature për President të Kosovës, duke thënë se partia e tij është e gatshme të bisedojë me subjektin që ka fituar zgjedhjet dhe po tenton t’i krijojë institucionet e reja.
Arifi tha se AAK-ja ka qenë e qartë lidhur me kushtet e saj dhe se ka vota për të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
“Pritet me bisedu partia që ka fituar zgjedhjet, është duke u munduar me i kriju institucionet. Ne jemi të gatshëm me bisedu. Ne kemi thënë se pranimi i gjashtë pikave… ne kemi vota”, tha Arifi.
Duke u pyetur nëse AAK-ja do ta mbështeste Vjosa Osmanin për një mandat të ri presidencial, Arifi ngriti pikëpyetje përse kandidatura duhet të jetë pikërisht ajo.
“Nuk besoj që kish me qenë problem as Lutfi Haziri, as Lumir Abdixhiku. Çka ka Lumiri që nuk bëhet president, çka ka Luta? Pse bash Vjosa Osmani? Tek e fundit, ajo ka qenë presidente”, deklaroi Arifi.
Arifi: Presidenti s’duhet të jetë “nana e kërkujt”, por lider
Avni Arifi i AAK-së ka deklaruar se posti i Presidentit të Kosovës duhet t’i besohet një figure politike me përvojë dhe kontakte ndërkombëtare, e jo një personi që, sipas tij, nuk ka peshë politike.
Arifi tha se në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mendojnë se Presidenti i vendit duhet të jetë një person politik që i njeh proceset dhe ka aftësi për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Ne si AAK mendojmë se Presidenti duhet me qenë person politik që i njeh proceset, një person që nuk është ‘nana e kërkujt’, që nuk ia ngroh zemrën kërkujt, por që është lider, që ka kontakte, që e afron Kosovën te BE-ja, dikush që ka kontakte të mira me NATO-n, me Brukselin e me SHBA-në. Jo noter, duhet me qenë figurë serioze”, tha Arifi.
Sipas tij, Presidenti duhet të ketë peshë politike dhe diplomatike, si dhe të jetë në gjendje të forcojë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
“E kemi kaluar fruthin e fyerjeve të LVV-së”, Arifi
Avni Arifi nga AAK-ja ka deklaruar se kritikat dhe etiketimet nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e shqetësojnë atë dhe AAK-në.
Tutje Arifi tha se AAK-ja, sipas tij, tashmë e ka kaluar periudhën e përplasjeve dhe fyerjeve nga LVV-ja.
“Asnjë etiketim, asnjë fyerje nga anëtarët e VV-së nuk më bën përshtypje, sepse e kemi kaluar na në Aleancë fruthin e fyerjeve të LVV-së. Është e drejtë e jona demokratike me shku në opozitë”, tha Arifi.
“Nëse ka mendu me na ofru ndonjë sheqer…”, Arifi i drejtohet Kurtit
Avni Arifi nga AAK-ja në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se partia e tij është përcaktuar për të qëndruar në opozitë dhe nuk është e interesuar për oferta apo privilegje politike në këmbim të mbështetjes.
Arifi tha se AAK-ja nuk ka nevojë për asnjë ofertë nga pushteti, ndërsa sa i përket zgjedhjes së presidentit, ai tha se qëndrimi i partisë është i qartë.
“Na jemi përcaktu për opozitë, nuk i nevojitemi fare. Nëse e ka pasë ndërmend me na ofru ndonjë privilegj ose ndonjë sheqer, nuk jemi të interesuar. Për presidentin i kemi treguar, nuk ka rëndësi fare me na taku, veç të thotë: i kam pranuar ato gjashtë kërkesa dhe i ka votat”, tha Arifi.
Arifi: Koha tregoi dallimet mes PDK-së dhe LDK-së
Avni Arifi nga AAK-ja në ”Click” të RTV21 ka thënë se dallimet mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë bërë më të dukshme në skenën politike, duke vlerësuar se bashkëpunimi mes këtyre partive është vështirësuar.
Tutje Arifi tha se në të kaluarën këto tri parti kanë arritur të bashkohen për projekte të caktuara dhe edhe në situata, sipas tij, më të vështira politike.
Megjithatë, ai tha se në rrethanat aktuale një bashkëpunim i tillë nuk ka funksionuar.
“Koha kallxoi që PDK-ja dallon shumë prej LDK-së, sikurse ka dalluar shumë njëkohësisht AAK-ja edhe nga PDK-ja edhe LDK-ja. Në të kaluarën, këto tri parti në projekte të caktuara kanë ditë me u bo bashkë edhe në situata më të rënda, në këtë kohë kanë dështuar”, tha Arifi.
“Kurgjo nuk po dojme prej Kurtit”, Arifi: Po përsëritet i njëjti skenar
Avni Arifi nga AAK-ja në ”Click” të RTV21 i ka cilësuar si një lloj “drame” takimet e fundit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Arifi tha se sipas tij, takimet mes dy subjekteve politike janë pjesë e një skenari që po përsëritet.
Ai theksoi se AAK-ja ka zgjedhur të qëndrojë në opozitë dhe se nuk ka interes për të hyrë në qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nuk jemi vetëpërjashtuar. Ne kemi zgjedhë mos me qenë në qeveri me ty, kemi zgjedhë me qenë në opozitë. Kurgjo nuk po dojme prej Kurtit”, tha Arifi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?