Basha: Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nuk është e zakonshme, por kishte çështje urgjente

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka komentuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se një takim i tillë është i pazakontë pa formimin e Qeverisë, por se në këtë rast është mbajtur për shkak të disa çështjeve urgjente që kërkojnë trajtim institucional.
“Është e vërtetë që askund në histori nuk ka ndodhur të ketë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit pa u formuar Qeveria, por ka pasur disa çështje urgjente,” tha Basha.
“Së pari, është çështja e buxhetit të RTK-së, themelimi i komisioneve parlamentare, si dhe buxheti për tri komuna. Asnjëra nga këto pika nuk ka gjetur mirëkuptim,” shtoi ai.
Sipas Bashës, edhe pse mbledhja nuk është e zakonshme, qëllimi i saj ka qenë për të siguruar funksionalitet minimal të Kuvendit.
“Nuk është e zakonshme të mblidhet Kryesia në këtë rrethanë, por ka qenë bindja ime e thellë se nuk do të kishte shkelje ligjore apo kushtetuese nëse do të themeloheshin komisionet dhe do të miratohej buxheti për RTK-në dhe tri komunat,” përfundoi ai./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?