Haxhiu: Ky nuk është buxhet i Albin Kurtit dhe as i Lëvizjes Vetëvendosje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi duhet ta mbajë përgjegjësinë në raport me situatën e krijuar.
Ajo theksoi se buxheti për RTK-në është i papranueshëm, pasi është e padrejtë që punëtorët e RTK-së të mbesin pa paga.
Sipas saj, përveç kësaj në rend dite janë edhe buxheti për tri komuna si dhe buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026.
“Sot pashë kapriço politike dhe qasje destruktive nga përfaqësues të partive të tjera dhe nga nënkryetarët e tjerë të Kuvendit, ndërsa ne u përpoqëm të jemi konstruktivë. Ky nuk është buxhet i Albin Kurtit dhe as i Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse dikush ka inate me Kurtin apo me VV-në, i ftoj të heqin dorë nga ato inate, sepse bëhet fjalë për qytetarët”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrah idenë për një qeveri teknike, pasi qytetarët tashmë kanë vendosur përmes votës së tyre. “Qytetarët kanë vendosur. Kanë votuar Kurtin si më të votuarin në historinë e Kosovës. Nëse nuk do të ketë numra, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme,” përfundoi ajo./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?