Kolë Krasniqi: Përgjegjësia për vdekjen e 27-vjeçarit duhet të jetë institucionale, jo vetëm e katër policëve

(Lajm i përditësuar)
”Politizimi i institucioneve”, Krasniqi: Të favorizohet profesionalizmi, jo politika
Eksperti i sigurisë, Kolë Krasniqi, në “Click” të RTV21, u shpreh ashpër kundër politizimit të institucioneve shtetërore, përfshirë Policinë e Kosovës.
Ai theksoi se profesionalizmi duhet të jetë themeli i çdo shërbimi publik.
“Jo vetëm nga politizimi i Policisë, por qeveritë tona një herë e përgjithmonë duhet të heqin dorë nga politizimi i institucioneve. Kudo që shërbejnë institucionet, duhet të favorizohet profesionalizmi, jo politika,” tha Krasniqi.
Kolë Krasniqi: Përgjegjësia për vdekjen e 27-vjeçarit duhet të jetë institucionale, jo vetëm e katër policëve
Eksperti i anti-terrorizmit, Kolë Krasniqi, në “Click” në RTV21 foli për rastin e 27-vjeçarit që humbi jetën në duart e policisë në orët e para të së hënës. Krasniqi theksoi se rasti kërkon një qasje të thelluar institucionale dhe jo vetëm individuale.
“Policët i kuptoj edhe si kryerës, edhe si viktima të misionit dhe detyrave të tyre, sepse ata kanë shkuar atje pasi kanë pasur një urdhër. Ata kanë përdorur një dhunë, e cila po dëshmohet përmes kamerave se ka qenë një dhunë profesionale e tejkaluar,” tha Krasniqi.
Ai më tej theksoi se duhet pritur raporti i autopsisë për të kuptuar plotësisht çfarë ka ndodhur, duke shtuar se përgjegjësia për këtë rast duhet të jetë institucionale.
“Përgjegjësia nuk guxon të mbetet te katër policët që kanë ndërmarrë çdo veprim të dhunshëm. Përgjegjësia duhet të jetë te zinxhiri komandues,” përfundoi Krasniqi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?