Dështon edhe sot konstituimi i Kuvendit

(Lajm i përditësur)
Haradinaj: Kurti nuk e ka qëllimin me zgjedh problem por vetëm me bë keq e më keq
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur pas dështimit të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi: Për Kurtin as Gjykata Kushtetuese, e as aktgjykimet e saj nuk kanë kurrfarë vlere
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se për kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, dhe deputetët e partisë së tij, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë vlerë.
“Ai aktgjykim e ka bërë të qartë që nuk mund të ndryshohet rendi i ditës, aq më pak në mënyrë arbitrare, dhe insistimi i njëjtë sot, sikurse në seancat e kaluar,a i bie që për Albin Kurtin dhe VV-në, as Gjykata Kushtetuese, e as aktgjykimet e saj nuk kanë kurrfarë vlere”, tha ai.
Lushaku-Sadriu: Sot u cenua vendimi i Kushtetueses
Marigona Lushaku-Sadria ka thënë se sot u cenua vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin u sqarua aspekti juridik i funksionimit të Kuvendit.
“Kjo e sqaron përgjegjësinë e partisë politike që ka fituar shumicën relative. Ne do të sillemi siç sillen partitë që duan një vend demokratik”, ka thënë ajo.
Sipas saj dhe presidentja duhet të marrë rol në tejkalimin e kësaj gjendjeje.
“Partitë politike garojnë në zgjedhje me qëndrime të qarta. Ne nuk kemi shprehur interesim të bashkëqeverisim me Vetëvendosjen”, ka thënë ajo.
Në seancë ishin të pranishëm 95 deputet.
53 prej tyre votuan për Komisionin e fshehtë.
Kjo ishte hera e 39-të që ata u mblodhën në sallën e Kuvendit prej 15 prillit, ndonëse të dielën vetëm e vazhduan seancën e 38-të të së premtes, në të cilën nuk kanë votuar.
Xhaferi-LVV-së: Mos vazhdoni me votim të fshehtë, shkelet Kushtetuta sërish
Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që në seancën e sotme mos të vendos në rend të ditës votimin e fshehtë, pasi bën shkeljen kushtetuese të radhës.
Ai para seancës konstituive tha se kur partia e parë nuk mund të sigurojë numrat për kryetarin e Kuvendit, i bije që nuk mund ta udhëheq si duhet as vendin dhe kjo nuk bëhet pa marrëveshje politike.
Xhaferi shtoi se sot është një seancë e rëndësishme pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“ është seanca e parë në të cilën mund të bëjmë një hap tjetër në drejtim të Gjykatës Kushtetuese të merr rol sepse nëse rendi i ditës ndërrohet nga vendimi i parë e që është ndërruar nga zoti Dehari, atëherë prapë bëjmë shkelje Kushtetuese, kështu që lutet Lëvizja Vetëvendosje që ta kthej pikën e rendit të ditës dhe të vazhdojmë tutje me seancë parlamentare… por Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëj hapin e radhës që në këtë seancë mos ta vendos në rend të ditës votimin e fshehtë sepse është jashtë rendit të ditës. “, tha ai.
Sipas tij, ky ngërç politik dilet jo me inate por me bashkëpunim të ndërsjellët të partive politike.
Brahimaj: Po zbulohet pabesia dhe mashtrimi i Kurtit
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj para seancës të 38-të konsitutive të Kuvendit të Kosovës, tha se kryetarit të LVV-së, Albin Kurtit vetëm po i “zbulon këmbët prej të gjithëve”.
Brahimaj tha se Gjykata Kushtetuese e ka shpjeguar çartë pyetjen e AAK-së dërguar në Kushtetutë, e jo si po interpretohet nga Kurti, duke theksuar se është një lloj mashtrimi i tij.
“Nuk e di presidentja si do të veprojë por Gjykata Kushtetuese e ka thënë shumë thjeshtë, nuk është vetëm qëndrim i AAK-së por edhe mediave dhe gjitha partitë jo si e interpreton Kurti. Është njëfarë pabesi e tij dhe mashtrimi i tij vetëm po i zbulon këmbët prej të gjithëve”, tha Brahimaj.
Izmaku: Takimi i Kurtit me partitë politike ka shpërfaqur nevojën për komunikim më të madh
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku para fillimit të seancës konstituive ka thënë se takimi i djeshëm ka shfaqur nevojën për komunikim më të madh politik mes partive.
Sipas saj, po ashtu takimi i Kurtit me partitë politike ka shpërfaqur edhe hipokrizi.
“Ka subjekte politike që na ka linçuar. Të besojmë që takimet do të prodhojnë diçka tjetër sepse ka qenë vetëm takimi i parë. Kur partia e parë nuk e ka shumicën, atëherë vjen në pyetje konsensusi”, ka thënë ajo.
Berisha: Partitë po takohen fshehtas
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha para fillimit të seancës konstituive ka thënë se nuk i ka kuptuar versionet e asnjërës parti.
Berisha ndër tjera tha se duket se të gjithë duan të vazhdojnë ende me bllokadë.
“Po gënjejnë, po takohen fshehtas e pastaj po gënjejnë, nuk e ka askush në mendje të dalë nga ngërçi. Kurti ende tregon kryeneçësi”, ka thënë ai.
Sot, vazhdimi i seancës së 38-të konstituive
Sot, me fillim nga ora 11:00, deputetët e zgjedhur do të mblidhen për të vazhduar seancën e 38-të konstituive.
Seanca e së premtes u shty për ditën e diel, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ftoi në takim liderët e partive të tjera politike.
Por ky takim, që u mbajt të shtunën dhe zgjati për mbi dy orë, nuk duket që prodhoi rezultat pozitiv.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?