Kaloni te përmbajtja kryesore

Rritje e së djathtës ekstreme në Gjermani në zgjedhjet e BE-së

(Lajm i përditësuar)


Von der Leyen paralajmëron mbështetjen për EPP-në

Presidentja e Komisionit Evropian dhe kandidatja kryesore e Partisë Popullore Evropiane (EPP), Ursula von der Leyen, tha se grupimi do të ruhet nga ekstremet në Bruksel.

Duke folur pas publikimit të një sondazhi që parashikonte se EPP do të mbetet grupi më i madh në Bruksel, Von der Leyen tha se EPP do të japë një “Evropë që jep, një Evropë të fortë”.

“Së bashku me të tjerët do të ndërtojmë një bastion kundër ekstremeve nga e majta dhe nga e djathta. Do t’i ndalojmë, kjo është e sigurt”, tha ajo.


Rritje e së djathtës ekstreme në Gjermani në zgjedhjet e BE-së

Partitë e së djathtës ekstreme duket se kanë shënuar rritje të konsiderueshme në Gjermani dhe Austri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të dielën, sipas disa sondazheve.

Kështu, këto dy vende i bashkohen Holandës, çka jep shenjat e para se kthimi kah e djathta do të ndodhë në këtë institucion të BE-së.

Partia e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) pritet të jetë sërish grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, dhe që kandidatja e tij, Ursula von der Leyen të ketë edhe një mandat në krye të BE-së.

Megjithatë, asaj do të mund t’i duhet mbështetja e nacionalistëve të krahut të djathtë, sikurse ajo e partisë italiane, Vëllezërit e Italisë, e kryeministres italiane, Giorgia Meloni për të siguruar shumicën në Parlament.

Partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, është e dyta me 16.5 për qind të votave, në krahasim me 11 për qind sa ka pasur në zgjedhjet e vitit 2019, sipas një sondazhi të publikuar prej transmetuesit publik, ARD.

Tri partitë pjesëmarrëse në koalicionin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz kanë shënuar humbje të votave në krahasim me të kaluarën, sipas sondazheve.

Rezultatet janë në linjë me ndryshimet veçse të pritura, në të mirë të partive të së djathtës në Parlamentin Evropian që i mbulon 450 milionë banorët e bllokut evropian.

Ndërkohë në Austri, Partia e Lirisë, po ashtu e ekstremit të djathtë, pritet të fitojë në zgjedhjet në këtë shtet, sipas sondazheve.

Sondazhet në Holandë, banorët e së cilës kanë votuar të enjten, tregojnë se partia nacionaliste dhe kundër migrimit, Geert Wilders, pritet të fitojë shtatë prej 29 ulëseve të ndara për këtë shtet në Parlamentin Evropian.

Parlamenti i ri Evropian pritet të ketë politika më të buta në luftim të ndryshimeve klimatike dhe më shumë përkrahje në masat për të kufizuar migrimin në bllokun evropian.

Parlamenti do të mund të jetë edhe më i përçarë, çka do të vështirësojë miratimin e ndonjë vendimi të rëndësishëm, teksa BE-ja përballet me një Rusi armiqësore dhe rritje të rivalitetit me Kinën, në fushën e industrisë.

Kjo nënkupton që kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe ai francez, Emmanuel Macron, do të jenë më të dobët.

Votimet kanë nisur të enjten në Holandë dhe në disa shtete tjera të premten dhe të shtunën, por pjesa më e madhe e banorëve të BE-së kanë votuar të dielën.

Parlamenti Evropian voton për legjislacione që janë kyçe për qytetarët dhe bizneset në bllokun me 27 vende anëtare.


​Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, si votuan Gjermania e Austria?

Partitë e koalicionit qeverisës – Social Demokratët, Të Gjelbrit dhe Liberalët – shënuan humbje në zgjedhjet e BE-së në Gjermani. Të Gjelbrit, në veçanti, ranë – në vetëm 12.5 për qind nga 20.5 për qind pesë vjet më parë. Nga ana tjetër, pavarësisht skandaleve, Alternativa për Gjermaninë, radikale e djathtë, AfD, arriti sukses të konsiderueshëm.

Deri më tani, partia më e fortë është Unioni Kristian Demokrat (CDU/CSU), i cili, sipas sondazheve, ka fituar 30 për qind të votave. Ky është një rezultat pak më i mirë se pesë vjet më parë, sipas mediave gjermane.

Sipas parashikimit, SPD ka arritur rezultatin më të keq deri më tani me 14 për qind – rezultati më i keq në historinë e partisë në zgjedhjet evropiane. Në vitin 2019, partia mori 15.8 për qind. Partia e tretë e koalicionit qeverisës, Liberalët (FDP), fitoi pesë për qind që paraqet një rënie të vogël krahasuar me 2019.

Sukses të madh ka arritur Aleanca e sapo themeluar Sarah Wagenknecht (BSW): sipas parashikimit, kjo parti, e cila nuk pretendon të jetë as e majtë, as e djathtë dhe që u themelua vetëm tre muaj më parë, fitoi gjashtë për qind.

Partia e Majtë shënoi humbje: tani është në 2.8 për qind, ndërsa pesë vjet më parë fitoi 5.5 për qind. Përfaqësues nga Gjermania do të dërgohen në Parlamentin Evropian edhe nga disa parti më të vogla që kanë fituar një, dy ose tre mandate.

Sipas vlerësimeve aktuale, këto zgjedhje panë një pjesëmarrje rekord: 64 për qind e 61 milionë gjermanëve me të drejtë vote krahasuar me 61.5 për qind pesë vjet më parë.

Për herë të parë në Gjermani, personat e moshës 16 dhe 17-vjeç u lejuan të votojnë në zgjedhjet evropiane. Është llogaritur se kjo ka arritur në rreth 1.4 milion zgjedhës të rinj me të drejtë vote. Sipas të gjithave, të rinjtë kryesisht zgjodhën jo partitë e mëdha dhe të themeluara, por ato më të vogla.

Në 27 vende të BE-së, rreth 360 milionë qytetarë kishin të drejtën e votës, duke zgjedhur 720 anëtarë të Parlamentit të ri Evropian, 96 prej të cilëve vijnë nga Gjermania. Në këtë vend në zgjedhje morën pjesë 35 parti dhe shoqata të tjera politike, 34 prej tyre në të gjithë vendin. Ndryshe nga zgjedhjet federale dhe ato shtetërore, në zgjedhjet evropiane nuk ka një prag elektoral dhe llogaritet se për një mandat përfaqësues ka mjaftuar rreth një për qind e votave.

E djathta fitoi edhe në Austri

Në Austri, partia populiste e krahut të djathtë FPÖ u bë forca më e fortë – për herë të parë në zgjedhje mbarëkombëtare. Sipas vlerësimit të trendit, FPÖ mori 27 për qind të votave. Partia Popullore Austriake (ÖVP) konservatore në pushtet ishte krah për krah me SPÖ socialdemokrate me një 23 për qind të mirë. Të Gjelbrit e Austrisë – që qeverisin Vjenën me ÖVP-në – ranë në 10.5 për qind dhe u bashkuan me Neos-in liberal.

Nëse këto parashikime konfirmohen, FPÖ do të ketë gjashtë ulëse në Parlamentin e ri të BE-së, dy herë më shumë se më parë. Në zgjedhjet evropiane 2019, ÖVP doli e para me një rekord 34.5 për qind – përpara SPÖ me pothuajse 24 për qind. Më pas FPÖ përfundoi në vendin e tretë me 17 për qind.


​Si votoi Evropa, kjo është përbërja e Parlamentit të ri Evropian

Qendrat e votimit janë mbyllur në shumicën e vendeve evropiane.

Qendrat e votimit janë mbyllur në shumicën e vendeve evropiane, por rezultatet do të dihen vetëm pas orës 23:00, kur edhe qendrat e votimit në Itali të mbyllen.

Ndiqni përbërjen e Parlamentit të ri Evropian në linkun: European Parliament (europa.eu)

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button