Kuvendi s’ka kuorum për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për shkarkimin nga pozita e anëtarit të KPK-së, Agron Beka. Në mungesë kuorumi nuk janë hedhur në votim edhe shumë pika të tjera të rendit të ditës. Pas pauzës, po vazhdon seanca plenare, por sërish pa prezencën e partive opozitare.
Në prezantimin e rekomandimit të Komisionit për Legjislacioni, deputeti Adnan Rrustemi tha se vazhdimi i punës së Agron Bekës shkel parimet bazë të veprimtarisë së këshillit.
Ai deklaroi se bazuar në aktivitetin e Bekës në KPK, nuk e ka pasur fokus primar ngritjen e performancës si anëtar. Po ashtu, shtoi se i njëjti e përdori KPK-në në funksion të interesave të tij personale, duke cenuar integritetin e këtij institucioni.
“Në publik, media tanimë janë shfaqur dyshime serioze dhe të bazuara mbi atë se zotëri Beka e ka keqpërdorur pozitën e tij si anëtar i KPK-së për të avancuar pozitën e tij brenda Universitetit të Prishtinës, si dhe për t’iu kundërvënë kolegëve të tij në universitet. Këto veprime të tij tashmë janë pjesë e shumë mediumeve të cilat janë edhe pjesë e këtij raporti. Periudha nga zgjedhja e tij anëtar i KPK-së ka përcjellë Bekën me skandale të shumta. Për dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Beka ishte dekan e profesor i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës, Policia e Kosovës ngriti kallëzim penal ndaj Bekës. Po ashtu, edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte hasur në konflikt interesi të dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Mitrovicës, Agron Beka. Agjencia kishte konstatuar që përveç pozitës së dekanit, zotëri Beka ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit dhe përfaqësuesit të autorizuar në dy organizata joqeveritare”, deklaroi ai.
Tutje, theksoi se veprimet e Agron Bekës paraqesin shkelje të kodit të etikës dhe se dëmtojmë imazhin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Ani pse u tentua të votohet në parim projektligji për tekstet shkollore, shumë deputetë të pozitës nuk kanë marrë pjesë në votim.
Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në parim projekt-Kodi Doganor dhe i Akcizave.
Ndërkaq deputetë të shumicës parlamentare kanë miratuar në parim projektligjin për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?