Kaloni te përmbajtja kryesore

Mijëra qytetarë protestojnë kundër Gjykatës Speciale

(Lajm i përditësuar)

 

Ali Ahmeti: Gjykata i ka shërbyer paragjykimit, duke gjykuar padrejtesisht vetëm një palë

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti po merr pjesë në protestën që po mbahet në sheshin qendror të Prishtinës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së dhe në kundërshtim të Gjykatës Speciale.

Ai tha se ”Gjykata i ka shërbyer paragjykimit, duke gjykuar padrejtesisht vetëm një palë”.


Ish-hetuesja e Hagës: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar

Ish-hetuesja e Gjykatës së Hagës Nevenka Tromp, në fjalën e saj gjatë protestës së veteranëve kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së tha se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Ajo tutje ka shtuar sdrejtësia mund të jetë si subjektive ashtu edhe objektive, por në të dyja rastet ajo duhet të zbatohet përmes institucioneve të ligjshme,

“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Kjo nuk është vetëm një parullë – është realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet, ajo duhet të ketë legjitimitet. E dimë që drejtësia mund të jetë si subjektive ashtu edhe objektive, por në të dyja rastet ajo duhet të zbatohet përmes institucioneve të ligjshme, të qëndrueshme dhe të pavarura. Gjykatat, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe profesionale”, tha ajo.


Gucati: Specialja po gjykon aleatët e NATO’s, është gjykatë e njëanshme anti UÇK e anti Kosovë

Hysni Gucati nga OVL UÇK ka mbajtur një fjalim me të nisur protesta kundër Speciales. Ai ka thënë se kjo gjykatë po gjykon aleatët e NATO’s,  Hashim Thaçin, Kadri Veselin, bacin Jakup Krasniqin dhe  Rexhep Selimin.

‘‘Të nderuar të pranishëm sot veteranët e UÇK-së i kemi bërë shumë krenarë që jemi bashkuar këtu kundër padrejtësisë së Speciales. Kjo gjykatë ne e  dimë që është gjykatë e njëanshme, anti-UÇK, anti-shtetit të Kosovës. Ne kemi ditur të bëhemi bashkë gjithmonë kur është rrezikuar identiteti ynë, dhe jemi bërë bashkë edhe sot sepse po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës sonë, po rrezikohet pavarësia jonë, sepse Specialja e ka devijuar misionin e saj. Specialja po deformon historinë tonë, nën petkun e drejtësisë të cilën e ka përdhosur kjo gjykatë po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri dhe dinjitet. Ajo po tenton të krijojë narrativen e rremë sikurse Kosova është çliruar kriminelët, ndërkohë e vërteta është krejt tjetër, UÇK bashkë me  NATO-n, në krye me Amerikën kanë çliruar Kosovën nga kriminelët e Beogradit. Sot kjo gjykatë në Hagë po gjykon aleatët e NATO’s,  Hashimin, Kadrinë, baçin Jakupin, Rexhep Selimin.”, ka thënë ai


​Fillon protesta kundër speciales

Ka filluar protesta në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale.

RTV21 po qëndron në vend të ngjarjes, nga ku po raportojnë se në protestë është një numër i madh i qytetarëve që po mbajnë në duar flamuj të Kosovës, Shqipërisë e UÇK’së.


Qytetarët të ashpër me Gjykatën Speciale: Është raciste, çlirimtarët po mbahen në Hagë me dirigjime nga Serbia

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën gjithëpopullore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta, në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët e konsiderojnë Gjykatën Speciale si raciste, derisa mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta të ndryshme në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Isat Gashi, i cili kishte ardhur nga Klina për të protestuar, tha se ish presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe me dirigjime nga Serbia.

“Jemi mbledhur sot për çlirimin e çlirimtarëve tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë…Mendojmë se do të ketë rezultat për lirimin e djemve tanë, heronj të gjallë…Gjykata Speciale është raciste dhe po mban padrejtë në Hagë çlirimtarët me dirigjimet e Serbisë”, tha ai.

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button