Kaloni te përmbajtja kryesore

Dështon edhe përpjekja e 12-të e konstituimit

(Lajm i përditësuar)


Bajrami: Qeveria transicionale, e vetmja zgjidhje për ta zhbllokuar situatën

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se formimi i një qeverie transicionale është e vetmja zgjidhje për zhbllokimin e situatës dhe formimin e institucioneve për një afat të caktuar.

Sipas Bajramit, do duhej që partitë të bëheshin bashkë dhe të adresonin problemet e shumta të qytetarëve, veçanërisht ato të sektorit të energjisë.

“Po shihet kush po bllokon. Kur nuk i kanë numrat, si rasti i Vetëvendosjes, nuk mund të diktosh mënyrën e të tjerëve se si propozojnë të zhbllokohet formimi i institucioneve. Qeveria transicionale kish me zhblloku situatën komplet dhe do të konstituoheshin institucionet. Do të kishte agjendë të qartë dhe afat të caktuar kohor.  Po presim përgjigje zyrtare nga liderët e partive për propozimin. Besojmë se, për momentin, e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar institucionet”, ka thënë ajo.

 


Krasniqi: Kurti të na tregoj se a është më e rëndësishme Albulena Hazhiu apo 1 milionë qytetarë që kanë votuar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të 12-të të seancës konsitituive, tha se sa herë do të propozohet Albulena Haxhiu si kandidate për kryetare të Kuvendit, do të dështoj.

”E ftoj deputetin Albin Kurtin të na tregoj se a është më e rëndësishme për të, Albulena Hazhiu apo 1 milionë qytetarë që kanë votuar në zgjedhje”, tha Krasniqi.


Dështon edhe përpjekja e 12-të e konstituimit

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën për herë të 12-të të mërkurën, dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë pas dy ditëve.


Limaj: Ka disa lëvizje, ka propozime dhe komunikime me letra

Para fillimit të seancës konstituive, Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se ka disa lëvizje nga seanca e kaluar konstituive.

Ai nuk deshi të tregojë nëse do t’i përgjigjet ftesës së Lidhjes Demokratike për takim për formimin e një qeverie tranzitore.

“Ka disa lëvizje. Ka propozime dhe komunikime me letra”, tha shkurt Limaj.


Haradinaj: Unë angazhohem për qeveri të opozitës

Kryetari ii AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka mirëpriturn propozimin e kreut të LDK’së, Lumir Abdixhikut për formimin e një qeverie të tranzicionit, por tha se ai vetë angazhohet për “Qeveri të opozitës”.

Haradinaj tha se ka pranuar ftesën për takim konsultues, teksa tha se ftesa e Abdixhikut s’është e keqe.

“Unë angazhohem për qeveri të opozitës. Jam I hapur për konsulta në këtë rast me LDK’në, PDK’në, në këtë rast me partitë e opozitës”, tha Haradinaj para fillimit të seancës konstituive.


Rexhaj: Propozimi për qeveri tranzitore, i kotë

Deputet i Vetëvendosjes Arbër Rexhaj e ka kundërshtuar propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri tranzitore, duke e cilësuar si të “kotë”.

Ai tha se “në vend se të ecim përpara, ata propozojnë të shkojmë mbrapa”.

“Vullneti i qytetarëve të Kosovës se Albin Kurti është njeriu më i votuar në historinë e Kosovës. Ajo çka propozon LDK-ja është devijim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ne e kemi dashur se nuk jemi bllokues dhe përkundrazi kemi propozuar koalicion me LDK, por ajo dëshiron të shkojë mbrapa”, tha Rexhaj.


Peci: Potencialisht ftesë për takim mundet me ba Bedri Hamza, jo partia e tretë

Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Peci, është deklaruar para fillimit të seancës konstituive, teksa ka folur edhe për propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për një qeveri të tranzicionit.

Peci tha se një propozim të tillë do të mund ta bëntë potencialisht kandidati për kryeministër i PDK’së, Bedri Hamza, por jo partia e tretë.

Ai as nuk ka mohuar as pohuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Abdixhiku.

“Nëse kjo nuk bëhet e mundshme në një të ardhme, unë mendoj që logjika politike dhe institucionale e thotë që potenacialisht që një ftesë të tillë mundet me ba në një të ardhme Bedri Hamza, por jo partia e tretë, e katërt, e pestë. Unë s’po them që shkojmë as nuk shkojmë”, ka deklaruar Peci.


Musliu: Abdixhiku s’po guxon me u bë me Kurtin, e as me neve

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu para fillimit të seancës konstituive tha se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk po guxon me u bë ”me Kurtin, e as me neve”.

”LDK-ja gjithmon duke u friguar me marrë vendime e ka lënë Kosovën shumë mrapa. Ata nuk po guxojnë me u bo as me Albin Kurtin e as me neve”, tha Musliu.

 


Kuvendi sot bën përpjekjen e 12-të të konstituimit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në ora 10:00 në përpjekjen e 12’të të konsitutimit.

Mosmarrëveshjet mes partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës për emrin e kryeparlamentarit ka bërë që 11 seancat paraprake të dështojnë.

Kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka shkruar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke ja shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe hyrjen në koalicion qeverisës.

Këtij interesimi i është kundërpërgjigjur sot gjatë ditës së djeshme, Lumir Abdixhiku, i cili në letrën dërguar Kurtit ka propozuar qeveri tranzicioni, e cila do të përfshinte të gjitha partitë politike në vend.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button