Kaloni te përmbajtja kryesore

Zyrtari i lartë Amerikan Verma Richard viziton Kosovën dhe Serbinë

Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard  Verma, këto ditë do të qëndroj për vizitë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Sipas një njoftimi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Verma do të trajtojë çështje të rëndësishme, përfshirë forcimin e qeverisjes, sundimin e ligjit, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për qytetarët. Por, fokusi i tij gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi do jetë diskutimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy shteteve.

“Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha DASH.

Partia në pushtet Vetëvendosje kërkon nga zyrtarët Amerikan dhe të BE-së që t’i bëjnë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Kosovën.

Por, ish-ministri i Punëve të Jashtme, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, akuzon Qeverinë për mungesë vizioni në proces të dialogut me Serbinë dhe për prishje të raporteve me aleatët.

‘’Marrëdhënie të rrënuara me SHBA-të dhe BE-në dhe nën sanksione”, tha Hoxhaj për RTV21.

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, vizitën e zyrtarit amerikan në Kosovë dhe Serbi i sheh si parapërgatitje të terrenit që SHBA-ja do të kërkojë hapa urgjent nga Kosova dhe Serbia për zbatimin e obligimeve të marrëveshjes së Brukselit.

‘’SHBA-ja ka treguar gjithmonë interesim për zgjidhjen e një statusi të përhershëm midis Kosovës dhe Serbisë. Para se të bëhet nominimi i presidentit të ri është marrë një iniciativë që të përgatitet terreni në lidhje me çështjen e dialogut. Ardhja e Trump mund të sjellë dinamikë të re”, Xhakaliu.

Ish-ambasadori Xhakaliu vlerëson se është e vështirë që tani të flitet për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, emisari i ri që pritet të zgjidhet nga BE-ja do të sjellë një dinamikë të re në dialog.

‘’Unë besoj se po. Nga përvoja dhe puna ime gjashtë vjeçare si diplomat në Gjermani një qasje më pragmatike nga BE-ja në dialog mund të sjellë rezultate”, tha Xhakaliu.

Bashkim Evropian nuk ka treguar ende se kush do ta pasoj emisarin Miroslav Lajçak si ndërmjetës i dialogut./RTV21/21Media 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button