Zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit do ta vizitojë Kosovën

Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, do të realizojë një vizitë në rajon, ku do të qëndrojë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Vizita e tij do të fillojë nga sot, e mbaron më 11 janar.
Në Tiranë, ai do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme për afganët.
Në Kosovë, siç thotë njoftimi i Departamentit të Shtetit, Verma do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, “si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve”. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e Ukrainës dhe për ndihmën që e ka dhënë për afganët.
Në Serbi, Zëvendëssekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?