Kaloni te përmbajtja kryesore

Zv.Sekretarja e NATO-s: Pretendimet për largimin e trupave amerikane nga KFOR-i dolën të jenë të rreme

Zëvendës Sekretarja e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka reaguar ndaj shqetësimeve  në lidhje me mundësinë që Shtetet e Bashkuara të tërheqin trupat e saj nga misioni i KFOR-it në Kosovë. Ajo ka sqaruar se këto informacione janë të pasakta dhe se NATO mbetet e angazhuar në vazhdimësinë e misionit të KFOR-it.

“Ka pasur pretendime që u dëshmuan të gabuara. E rëndësishme është që Aleanca ka treguar angazhimin e saj ndaj misionit dhe aleatët kanë dërguar më shumë trupa kohët e fundit. Askush nuk duhet të dyshojë për përkushtimin dhe vendosmërinë e Aleancës,” ka thënë Shekerinska për Kosovo Online.

Ajo gjithashtu ka theksuar angazhimin e NATO-s për një paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe ka përmendur vizitat e fundit që janë realizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, vetë Shekerinska dhe Këshilltarët e Atlantikut të Veriut në KFOR, si një dëshmi të qartë të angazhimit të Aleancës për të mbështetur dialogun dhe stabilitetin rajonal.

Për më tepër, Shekerinska ka deklaruar se NATO mbetet e angazhuar për një dialog të vazhdueshëm mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se roli i Aleancës dhe KFOR-it është të sigurojnë që zgjidhja e problemit mund të arrihet vetëm nëpërmjet dialogut politik.

“NATO ka qenë e angazhuar për rajonin gjatë dekadave të fundit dhe, për shkak të rëndësisë së dialogut, kam pasur takime me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së. Roli ynë është i qartë: KFOR-i, misioni më i madh dhe më i gjatë i NATO-s, duhet të bindë të gjithë se vetëm dialogu politik mund të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme dhe stabilitet politik,” ka përfunduar ajo.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button