“Vushtrria Ime” – 80-vjetori i krijimtarisë së Nesim Ispahiut u përkujtua me një program kulturor në Kalanë e Vushtrrisë

Në ambientet historike të Kalasë së Vushtrrisë u organizua një program kulturor i veçantë për të nderuar 80-vjetorin e krijimtarisë së fotografit dhe poetit të njohur Nesim Ispahiu, i cili njihet në publikun vendas si “Nesim Abeja”. Ky aktivitet, i titulluar “Vushtrria Ime”, ishte një bashkëpunim mes Institutit Yunus Emre në Kosovë dhe Komunës së Vushtrrisë, me pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve, familjarëve dhe përfaqësuesve institucionalë.
Programi nisi me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, i cili theksoi rëndësinë e trashëgimisë që Nesim Ispahiu i ka lënë qytetit përmes artit të tij. “Fotografitë e tij nuk janë vetëm pamje të një kohe, por dëshmi të gjalla të identitetit tonë qytetar e kulturor. Vushtrria do ta mbajë gjithmonë me nder emrin e tij”, u shpreh Idrizi.
Në emër të Institutit Yunus Emre në Kosovë, foli Koordinatori z. Ramazan Yılmaz, i cili theksoi se vlerësimi i figurave si Nesim Ispahiu është një mision kulturor që lidhet me ruajtjen e kujtesës kolektive dhe promovimin e bashkëjetesës. “Nesim Abeja është një urë lidhëse mes brezave dhe kulturave. Ai ka dokumentuar me ndjeshmëri jetën, qytetin dhe shpirtin e kohës së tij. Është nder për ne që këtë vlerë e sjellim në vëmendjen e brezave të rinj”, tha Yılmaz.
Në vazhdim u shfaq një dokumentar i shkurtër që trajton jetën dhe krijimtarinë e Ispahiut – nga fëmijëria, fillimet në fotografi e deri te përkushtimi i tij si poet dhe koleksionist i kujtimeve vizuale të qytetit. Dokumentari u realizua nga Visar Hapçiu, ndërsa skenari dhe intervistat u përgatitën nga Dr. Taner Güçlütürk.
Një moment i veçantë ishte edhe promovimi i përkthimit në gjuhën turke të librit poetik “Shija e Vargut”, i përkthyer nga Dr. Taner Güçlütürk dhe i botuar me titullin “Dizenin Tadı”. Libri përmbledh poezi të shkruara ndër vite nga vetë Ispahiu, duke reflektuar një frymë të thellë shpirtërore, edukative dhe gjuhësore.
Gjatë panelit të promovimit morën fjalën, Shukrane Begu, Drejtoreshë e Muzeut të Vushtrrisë, e cila prezantoi biografinë e autorit, Izet Miftari, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, i cili vlerësoi kontributin e Ispahiut si një simbol i trashëgimisë lokale dhe vetë përkthyesi i librit, Dr. Taner Güçlütürk, i cili ndau me publikun procesin e përkthimit dhe rëndësinë që mbart ky botim në ruajtjen e variantit lokal të gjuhës turke në Kosovë.
Në përmbyllje të programit u hap ekspozita personale e fotografisë me titullin “Vushtrria Ime”, ku u paraqitën 40 fotografi të përzgjedhura nga arkivi personal i autorit. Fotografitë u botuan edhe në një katalog të veçantë, i cili do të mbetet si dokument vizual i rëndësishëm për qytetin.
Programi u mbyll me një fotografi familjare me të gjithë pjesëmarrësit dhe një moment emocional ku Nesim Ispahiu mori një plaketë mirënjohjeje për kontributin e tij jetësor në fushën e artit dhe kulturës.
Në moshën 90-vjeçare, mjeshtri Ispahiu u shfaq i emocionuar dhe falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim të gjatë krijues. Familja e tij shprehu krenari dhe gëzim për këtë vlerësim publik që ju bë figurës së tij.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?
