Vetëm 50 të verbër të punësuar, kryetari i Shoqatës: Jemi të arsimuar por paragjykohemi
Punësimi mbetet brenga më e madhe që kanë personat e verbër. Përkundër se një numër i konsiderueshëm i tyre janë edhe të shkolluar ata ende paragjykohen.
Kështu ka thënë kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, i cili shtoi se nga të dhënat që posedojnë vetëm 50 persona të verbër janë në marrëdhënie pune nga 2500 sa numëron kjo kategori në të gjithë vendin.
Duke përmendur vështirësitë që hasin në jetën e përditshme, Tishuki theksoi edhe mungesën e pajisjeve ndihmësetë asistuar për personat e verbër si dhe kushtet.
”Sipas shënimeve që kemi, janë 50 persona të verbër të punësuar nga këta 2 mijë e 500 persona, kemi persona të verbër që e kanë kryer edhe arsimimin e lartë dhe kanë edhe grada shkencore, por punësimi është shumë sfidë e madhe që të vijmë deri tek punësimi i personave të verbër. Do të doja t’i numëroj edhe kushtet që janë, paragjykimet që ende ekzistojnë, edhe e dyta është mungesa e pajisjeve ndihmëse, sidomos të pajisjeve ndihmëse të asistuar për personat e verbër, dhe në këtë është si prioritet yni që të lobojmë vazhdimisht për sintezën fokale të gjuhës shqipe, që gjuha shqipe ende nuk është e sintetizuar, për çka të verbrit në Kosovë u a pamundëson shfrytëzimin e teknologjisë informative që ka shkuar shumë larg”, potencoi ai.
Tishuki shtoi tutje se punësimi i personave të verbër mbetet një nga çështjet për të cilin në vazhdimësi janë duke e ngritur zërin.
”Shoqata e të Verbërve të Kosovës aktivitetet e saj i ka sipas planit strategjik në katër fusha, në avokim, lobim për përmirësimin e jetës së personave të verbër, si dhe në avokimin rreth legjislacionit, përmirësimin e legjislacionit, dhe zbatueshmërinë e legjislacionit aktual, arsimimi i personave të verbër, dhe punësimi i personave të verbër. Por gjithashtu temë kryesore është se ne ofrojmë edhe shërbime specifike apo shërbime sociale për personat e verbër që shteti deri më tash nuk i ofron këto shërbime”, vijoi Tishuki.
Ky vit është shpallur nga Qeveria e Kosovës si vit i personave me aftësi të kufizuar dhe kjo sipas Tishukit mund të jetë një nisje e duhur për të zgjidhur disa prej problemeve që kanë.
Shoqata e të Verbërve të Kosovës mbulon të gjithë territorin e Kosovës përmes 13 degëve të saj. Në Kosovë janë 2 mijë e 500 persona të verbër, kurse të anëtarësuar tek kjo shoqatë janë mbi 1 mijë të verbër./kp
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?