Udhëheqësit e Kosovës me agjenda të ndara në SHBA

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po qëndrojnë për vizitë zyrtare në SHBA në kuadër të javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Presidentja Osmani ka zhvilluar takim me zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, presidentin Joe Biden dhe sekretarin Antony Blinken, kryeministri Kurti ndërkohë ka zhvilluar gjatë ditës takim me ndihmës sekretarin e shtetit, James O’Brien dhe të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Opozita ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë Kurti për siç thotë, veprime të pakoordinuara me partnerin kryesor të Kosovës, ndërsa, partia në pushtet Vetëvendosje thotë se Kurti është në vizitë zyrtare në SHBA.
Dy udhëheqësit e institucioneve qendrore të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë ndarë agjendat e tyre gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Secili prej tyre kanë patur takime, por presidentja Osmani, për dallim, zhvilloi takim me presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.
“Aleancë që qëndron në themelet e shtetit tonë! Faleminderit Presidentit Biden dhe Zonjës së Parë Dr. Biden për mikpritjen dhe bashkëbisedimin!”, tha Osmani.
“Gjithmonë është mirë të takohesh me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, përkrahës i palëkundur i popullit të Kosovës. Në pritjen liderëve në Nju Jork nga presidenti Joe Biden, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së”, ka shkruar presidentja.
Kryeministri Kurti ndërkohë gjatë qëndrimit në New York, është bërë e ditur se ka takuar ndihmës sekretarin amerikan të shtetit James O’Brien në një mëngjes pune të cilit sipas njoftimit i është bashkuar edhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Nga njoftimi i zyrës së kryeministrit mësohet se temë e bisedës përveç dialogut në Bruksel ka qenë edhe bashkëpunimi rajonal në prag të samitit të radhës të Procesit të Berlinit.
“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”.
Nuk ka pasur njoftime mbi qëndrimin e ndihmës sekretarit të shtetit O’Brien pas një numër kritikash që i janë adresuar Qeverisë Kurti nga adminstrata amerikane në kohët e fundit. Opozita në Kosovë thotë se Kurti nuk është i mirëpritur për shkak të veprimeve të tij të pakoordinuara.
“Nuk është lajm i mirë për Kosovën. Kryeministri Kurti është kryeministër i republikës së Kosovës, raportet e mira me aleatet tanë, hapja e dyerve në SHBA për Kosovën natyrisht që është në dobi të qytetarëve dhe në dobi të raportëve tona të përhershme me njërin prej sponzorizuesve kryesor të pavarisë së Kosovës. Parnerteti me aleatin tonë kryesor ka qenë një partneritet për të cilin investuar gjatë. Të pareshtura kanë qenë përpjekjet e Serbisë për ti cenuar këto raporte. Çdo mbyllje e derës për Kosovën e minimizon partneritetin dhe i cenon raportet duke e larguar Kosovën nga alati i saj strategjik”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.
Deputeti i VV-së, Alban Bajrami, tha se Qeveria ka koordinim të mirë me SHBA-të dhe BE-në. Por, sipas tij, ka çështje që nuk pajtohen në tërësi.
“Mund të mos kemi zbatim ekzakt të atyre që pretendojnë që duhet zbatuar. Por duhet ta kuptojnë se shteti i Kosovës është shtet i pavarur dhe e kemi një pozicion që shkon nganjëherë edhe përtej kërkesave për shkak se ne po e bartim mbi supet tona agresionin serb çdo ditë”, tha Bajrami.
Ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, vlerëson se tashmë është e njohur se zyrtarët e lart Amerikan nuk e duan praninë e kryeministrit Kurti në Shtëpinë e Bardhë.
‘’Nuk është e panjohur që SHBA-ja kanë shprehur haptas pakënaqësi ndaj qasjes që zoti Kurti e ka ndaj SHBA-së dhe rekomandimeve dhe kërkesave që vijnë nga ta. Duke qenë një aleat, një mbështetës i shtetit të Kosovës , I pavarësisht së saj SHBA-ja pret shumë më shumë nga shteti i Kosovës. Zhgënjimi që e kanë me sjelljet e zotit Kurti duket se është duke reflektuar me bojkot, apo një ndales që atij t’i mundësohet vizita në Shtëpinë e Bardhë ose takimi me zyrtarë të lartë të shtetit amerikan. Asgjë e papritur, derisa nuk ndërron qajsa e zotit Kurti vetëm sa do të vijnë duke u ashpërsuar masat ose sjellja e SHBA-ve ndaj zotit Kurti”, tha Jashari.
Ndërkohë, presidentja Osmani në paraqitjet e saj publike nga New Yorku ka insistuar për më shumë koordinim dhe bashkëpunim me SHBA-në./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?