Trump dhe pritjet për proceset ekonomike në Kosovë

Pas rikthimit të Presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shtëpinë e bardhë, të gjithë sytë janë kthyer nga ai, duke pritur të shohin ndikimin i tij në ekonominë e Kosovës.
Njohësit e ekonomisë presin riaktivizimin e marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Profesori i ekonomisë, Ilir Hajdini, thekson se administrata Trump mund të ketë ndikim në zhvillimet e mëtejshme ekonomike të vendit por gjithçka varet nga qasja e qeverisë së ardhshme të Kosovës ndaj SHBA-ve.
“Do të ketë ndikime, por varet se si i qasemi ne SHBA-ve, varet se kush do të jetë në qeverinë e ardhshme në Kosovë. Në qoftë se do të kemi një qeveri bashkëpunuese, dhe argumentuese me njerëz profesional që do të arrijnë të bindin të përzgjedhurit e administratës, se si veprohet në raport me Kosovën. Atëherë kemi gjasa që këtë impakt që mund të jetë negativ mund të shndërrojmë në impakt pozitiv. E Gjitha varet se si do të udhëheqim dhe sa e kuptojmë qasjen amerikane globale…06:01 Po ashtu ata mund të rikthejnë çështjen e negociatave që i ka pas Kosova me Serbinë nën administratën e Trumpit para katër vitesh. Dhe ata zakonisht e kanë një qasje ekonomike për zgjedhjen e problemeve, kështu kanë mundësi të na shtynë neve të arrijmë marrëveshjeje tjera për zhvillimin e infrastrukturës me vendet përreth e sidomos me Serbinë që nëse ndodh kjo, ne do të përfitonim”, tha Hajdini për rtv21.tv
Kjo marrëveshje, që pasoi një periudhë të tensionuar vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë e debatit dhe analistët janë të ndarë në vlerësimet e tyre për atë se çfarë mund të sjellë mandati i dytë i Trumpit për ekonominë e Kosovës.
Njohësi tjetër i ekonomisë Emanuel Bajra, është skeptik në lidhje me rikthimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik.
“Nuk jam i sigurt se marrëveshja e vitit 2020 do të rigjallërohet për shkak se eksponenti kryesor i kësaj marrëveshje që është Richard Grinell nuk e ka përgjegjësi Kosovën tash për tash….Mos të harrojmë që kemi të bëjmë me një president shumë të paparashikueshëm, i cili mund të marrë vendime të cilat ndoshta edhe nuk do të na pëlqejnë neve, por nuk do i pëlqejnë as aleatëve tjerë evropian…Objektivi i administratës së re Trump është ringritja dhe ri-fuqizimi i SHBA-ve dhe tarifat do të jenë një ndër mjetet kryesore që ai do ta bëjë këtë. Sa do të ndikojë kjo në ekonominë e rajonit, evropiane, globale ose në ekonominë e Kosovës, besoj se do të jetë një ndikim tejet i vogël, për shkak se nuk kemi dinamikë të madhe të eksporteve me ShBA-të. Gjasat janë që tarifat nuk do të imponohen në Kosovë, dhe se tarifat nuk do të imponohen gjithandej globalisht. P.sh rreziku më i madh që shoh këtu është pikërisht prezenca amerikane në Kosovë, mund të lind pyetja, pse jemi në Kosovë, sa na kushton neve si Amerikë të jemi në Kosovë, a kemi frekuencë të mirë ekonomike mes Kosovës dhe SHBA-ve. Pra, këto do të jenë pyetjet ndoshta më të rëndësishmet që do të bëhen në muajt dhe vitet në vazhdim, sesa që do të kemi ndonjë efekt direkt në ekonominë e vendit tonë”, thekson Bajra.
Marrëveshja parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.
Sipas marrëveshjes, Kosova obligohet të bëhet pjesë e një iniciative për lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore, që do ta përfshijë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. /RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?