Tregu energjetik, drejtori i KEK-ut takoi përfaqësues të bizneseve
Sot, në ambientet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), është mbajtur një takim konstruktiv me përfaqësues të bizneseve nga: Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Aleanca e Biznesit, Klubi i Biznesit, dhe Shoqata e Prodhueseve brenda OEK.
Në njoftim thuhet se, KEK ka filluar furnizimin e të gjitha bizneseve në tregun e hapur në përputhje me rregulloren përkatëse të ZRRE-së, duke kërkuar kështu bashkëpunim nga përfaqësuesit e bizneseve, me qëllim të realizimit të suksesshëm të këtij procesi të rëndësishëm për sektorin energjetik.
“Përfaqësuesit e bizneseve janë mirëpritur nga Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, z. Gramos Hashani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, dhe janë njoftuar lidhur me hapat konkretë të ndërmarrë nga KEK në kuadër të zbatimit të legjislacionit dhe rregulloreve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përfshirë rregulloren për Furnizim të Mundësisë së Fundit (FMF) dhe procesin e kalimit të konsumatorëve në tregun e hapur”, thuhet nga KEK.
Po ashtu, KEK ka informuar se ka filluar edhe me nënshkrimin e kontratave komerciale me ndërmarrje publike dhe biznese të interesuara për furnizim të rregullt dhe afatgjatë në tregun e hapur të energjisë.
“Është theksuar gjithashtu se, sipas rregullores së ZRRE-së, afati ligjor për ofrimin e shërbimit si FMF përfundon më 30 korrik 2025, dhe gjatë kësaj periudhe KEK është duke punuar në rritjen e kapaciteteve të saj operacionale, për t’iu përgjigjur me efikasitet kërkesave të tregut dhe bizneseve që synojnë furnizim komercial nga KEK. Me kërkesë të OEK-ut, KEK ka shprehur gatishmërinë për të qenë në dispozicion të ofrojë sqarime të vazhdueshme, si për përfaqësuesit institucionalë të bizneseve, ashtu edhe për bizneset individuale, në mënyrë që procesi të zhvillohet në transparencë dhe bashkëpunim të plotë”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
Komunikata e plotë:
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?