Trajneri i Sllovenisë: Duhet ta mposhtim Kosovën nëse duam të shkojmë më larg

Trajneri i kombëtares së Sllovenisë, Matjaž Kek, ka shpallur listën e lojtarëve për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kosovës dhe Zvicrës. Sfida e parë zhvillohet më 10 tetor në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë sllovenët presin Zvicrën në Stožice.
Pas një barazimi ndaj Suedisë dhe një humbjeje të thellë nga Zvicra në shtator, Kek e sheh përballjen në Kosovë si përcaktuese. “Jemi të vetëdijshëm për atë që na pret në Prishtinë. Me gjithë respektin për Kosovën dhe Zvicrën, por duhet t’i fitojmë këto ndeshje nëse duam diçka më shumë”, tha ai në konferencën për shtyp në Brdo.
Tekniku paralajmëroi se skuadra duhet të tregojë fytyrën e vërtetë: “Në Bazel ishim shumë të dobët, por treguam çfarë jemi të aftë kundër Suedisë. Nëse nuk e bëjmë tani, nuk kemi të drejtë të mendojmë për Kupën e Botës. Unë besoj te kjo skuadër.”
Në listën e tij mungojnë për shkak lëndimesh Andraž Šporar, Jan Mlakar dhe portieri Martin Turk, ndërsa janë rikthyer Jon Gorenc Stankovič, Blaž Kramer dhe Nejc Gradišar. Për herë të parë është ftuar portieri i Celjes, Žan Luk Leban.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?