Thirrjet e tifozëve serbë kundër Kosovës, “The Guardian” ngrit alarm për lidhjen e tyre me Vuçiqin

Mediumi prestigjioz britanik “The Guardian” ka publikuar një artikull të mërkurën ku ngrit alarm për thirrjet nga tifozët serbë ndaj Kosovës.
Në këtë artikull flitet për lidhjen e tifozëve me presidentin e Serbisë.
Reportazhi i “The Guardian” fillon me përshkrimin e një ndeshje ku tizofët serbë mbanin slloganët “Kosova është Serbi” dhe “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”,
Sipas mediumit britanik, në stadiumet në Serbi bëhen në vazhdimësi thirrje që kujtojnë spastrimin etnik të viteve të ’90-ta. “Duhet t’u japim fund”, ka thënë një tifoz i Cërvena Zvezdës. Sipas “Guardianit”, ai s’po i referohej kundërshtarëve të futbollit, por shqiptarëve që shpallën pavarësinë nga Serbia 15 vjet më parë.
Në artikull po ashtu është përmendur tifozët në ndeshjet e fundit kanë bartur fanella me fytyrën e Stefan Nedeljkoviqit, një nga tre serbët e vrarë gjatë aksionit të Policisë pas sulmit të grupit të uniformuar serb në Banjskë të Zveçanit. “Stefani është hero dhe për vdekjen e tij duhet të ketë hakmarrje”, ka thënë ky tifoz.
Ultranacionalizmi është diçka e njohur te tifozët e futbollit në Serbi. Kritikët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se përzierja e shovinizmit etnik dhe demagogjisë ka lejuar që sentimentet ultranacionaliste të dalin e të rriten përtej stadiumeve.
Sipas këtij mediumi lideri serb akuzohet edhe për bashkëpunim me huliganët në futboll, sipas James Montaguet, studiues që është marrë me botën e dhunshme dhe komplekse të ultrasëve në Serbi.
“Vuçiqi e ka kuptuar se ky është elektorat i fuqishëm dhe i rrezikshëm që mund ta bëjë apo rrëzojë një president”, ka thënë Montague. “Ultrasët mund të mobilizohen shpejt për qëllime politike, po që se duhet. Në të njëjtën kohë, autoritetet dëgjojnë me kujdes se çka brohoritet në tribuna”.
The Guardian” po ashtu ka përmendur ndërlidhjen e tifozëve me kriminelit të luftës, Arkanin. Edhe pse ka thënë se më nuk marrin pjesë në dhunën ndëretnike si në vitet e ’90-ta, këta tifozë rrahin gra e ndërpresin marshet e komunitetit LGBTQ+ në Beograd.
Vetë Vuçiqi në disa raste ka pranuar se ka qenë në tribuna gjatë përleshjeve masive të tifozëve, përfshirë atë të vitit 1990 në mes të Crvena Zvezdës dhe Dinamo Zagrebit, që në disa raste konsiderohet si fitili i luftërave të Ballkanit.
“The Guardian” ka thënë se edhe vetëm gjatë ecjes në Beograd ka shenja që e bëjnë të pamundur injorimin e nacionalizmit serb. Lehtë mund të vërehen murale ultranacionaliste e spote pro-ruse, madje të përziera me lëvdata për kriminelët e luftës, përfshirë Ratko Mlladiqin.
Sipas Vladimir Arsenijeviqit, shkrimtar serb, muralet e shumta ndikojnë direkt te popullata “që pak nga pak i pranon mesazhet urrejtëse”. “Në fund, kjo ka ndikim direkt për situatën politike me Kosovën”, ka thënë ai.
Në veri të Kosovës, Jovana Radosavljeviq, ka thënë se ndjen se raportet ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve po përkeqësohen, pas tensioneve të fundit. “Mund ta shihni ndryshimin në sjelljen e njerëzve. Kjo është diçka që më shqetëson”, ka thënë Radosavljeviq që udhëheq Iniciativën e Re Sociale, organizatë joqeveritare që punon për pajtim në mes të komuniteteve.
Pavarësisht tensioneve, Ivan Vejvoda, pjesëtar i Institutit të Shkencave Humane në Vjenë, ka thënë se Vuçiqi kërcënon Kosovën me trupa ushtarake në kufij, por se, sipas tij, nuk do të ketë luftë siç është parë në të kaluarën. “Politikanët serbë e kuptojnë shumë mirë se nuk preket NATO-ja”, ka thënë ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?