Të gjithë kandidatët për deputetë e kalojnë filtrin e verifikimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit e kanë kaluar filtrin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Pra asnjë nga ta nuk është dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
“Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndër tjerash parashihet se nuk mund të certifikohet si kandidat një person i cili “është dënuar në tri (3) vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, andaj kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të bëjë verifikimin në raport me këtë kufizim ligjor. Përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës është se asnjëri nga 1 mijë e 280 kandidatët e 28 subjekteve politike nuk bie ndesh me këtë pjesë të ligjit”, tha Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
KQZ dje ka filluar me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë. Deri tani janë certifikuar 11 subjekte politike me 606 kandidatë, ndërsa në pritje janë edhe 17 subjekte me 674 kandidatë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?