Tahiri: Sistemi i pagave në katrahurë, mijëra zyrtarë publikë nuk e dinë sa i kanë pagat

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë një mori kritikash ndaj Qeverisë lidhur me pagat e sektorit publik.
Sipas tij sistemi i pagave është në katrahurë dhe në institucionet publike ka pakënaqësi dhe për shkak të pagave.
“Mijëra zyrtarë publikë, edhe dy muaj pas, nuk e dinë sa i kanë pagat, kush merr shtesa, në cilin rangim janë. Kjo, jo vetëm se ka sjellë paqartësi, pabarazi, por ka krijuar pasiguri të madhe tek zyrtarët publikë. Në çdo institucion publik, është krijuar atmosferë e zymtë, diskutimi kryesor është se sa është paga, pakënaqësi e dëshpërim. Vendimmarrësit në vend se të shtrijnë komunikimin, kanë vendosur nga muaji në muaj të nxjerrin një arsyetim. “, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Më tej ai ka thënë se është nënvlerësim për punëtorët e sektorit publik moskomunikimi me ta nga ana e Qeverisë.
“Në këtë krizë, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës, e këtu më së shumti preken profesionistët që po zgjedhin ta lënë sistemin publik. Për të arritur një nivel të tillë përgatitje duhet prej 3-5 vjet, e ka raste si në shëndetësi deri në 6-10 vjet. Që i bie, se ne po rrezikojmë funksiononet vitale të sektorëve. Me urgjencë, duhet që të procedohen pagat sipas ligjit, të vendoset komunikim e dialog për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit, e për të parë presionin që po vjen nga trendi i largimit të profesionistëve.”, ka përfunduar ai.
Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan të premten të gjithë zyrtarët publik, se edhe këtë muaj pagat do të ekzekutohen pa shtesat e parapara në Ligjin për paga.Në komunikatën për media thuhet se ende nuk kanë arritur që të korrigjojnë dhe përshtatin të dhënat e të gjithë të punësuarve në sektorin publikë lidhur me shtesat që ata mund të përfitojnë./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?