Kaloni te përmbajtja kryesore

​Szunyog: Nuk ka notë të keqe për Kosovën në Raportin e KE-së

(Lajm i përditësuar)


Szunyog: Kosova të bëj më shumë hapa që të përfitoj nga plani i ri i rritjes së BE-së

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog duke folur për masat e vendosura nga BE, ka deklaruar se raporti i Komisionit Evropian, e njeh se ka progres të caktuar për deeskalim, zgjedhjet lokale në veri dhe angazhimi në dialog, përfshirë themelimin e Asociacionit, por duhet të shihen më shumë hapa që Kosova të mund të gëzojë potencialin nga plani i ri i rritjes.

Szunyog u shpreh pas dorëzimit të raportit për vendin për vitin 2023 nga Komisioni Evropian, tek zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

“Masat janë implementuar bazuar në deklaratën e 27 vendeve anëtare. Ka qenë një reagim ndaj zhvillimeve. Në fakt kjo deklaratë është mjaft specifike se çka pritet nga Kosova të fokusohet në deeskalim, zgjedhjet lokale në veri dhe e treta angazhimi në dialog, përfshirë themelimin e Asociacionit. Raporti e njeh që ka një progres të caktuar. Por raporti po ashtu thotë që ne duhet të shohim më shumë hap të tillë Kosova që të mund të gëzojë potencialin nga plani i ri i rritjes”, deklaroi ai.


​Szunyog: E ardhmja e Kosovës është drejt BE-së por duhet të vazhdohet me reformat

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se Kosova dhe Serbia ende s’kanë filluar të implementojnë obligimet nga marrëveshjet e arritura.

Derisa theksoi se e ardhmja e Kosovës është drejt Bashkimit Evropian, ai shtoi se duhet të vazhdojë me reformat.

Kështu u shpreh ai pas dorëzimit të raportit për vendin për vitin 2023 nga Komisioni Evropian.

Szunyog tha se zgjerimi është prej veglave kryesore që ka Bashkimi Evropian.

“Anëtarësimi në BE është çështje strategjike dhe përshtatja e vlerave të Kosovës vlerësohet lartë. Mospajtimet ndërmjet mazhorancës vazhdon të afektojë punën e kuvendit. Meqë Kosova mbetet në fazë të hershme të sistemit gjyqësor, duhet edhe më tutje të mbrojë efikasitetin e sistemit gjyqësor në Kosovë. Ekonomia ka demonstruar qëndrueshmëri sa i përket sfidave të fundit. Sa i përket përgatitjeve të përgjithshme duhet të vazhdojnë tutje për hyrje në BE”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se raporti adreson për herë të parë vendimin për liberalizimin e vizave.

“Raporti i vendit konstaton se qeveria ka vazhduar me agjendën ambicioze drejt Bashkimit Evropian. Raporti përgëzon Kosovën për politikën e jashtme. Angazhimi dhe përkushtimi i qeverisë është gjithnjë e më i madh, andaj vlerësojmë raportin për rritje. Kosova ka nevojë për mbështetje shtesë e jo për kushte dhe parakushte shtesë. Integrimi i përshpejtuar ekonomikë përkon me përkushtimin tonë dhe progresion e arritur gjatë kësaj periudhe”, shtoi ai.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button