Sveçla dënon sulmin ndaj pastiçerisë në veri: Nuk zmbrapsemi…

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e ka dënuar sulmin me koktej molotovi në pastiçerinë “Sharr” në Mitrovicën e Veriut.
Ai ka kërkuar nga organet përkatëse identifikimin sa më të shpejtë të kryesve të këtij, siç tha ai, akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
“Prej tri vitesh angazhohemi pa reshtur në shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e vendit tonë që më parë ka qenë zonë e kontrolluar nga bandat kriminale të Serbisë e njollë e zezë për vendin tonë. Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre. Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria “Sharr” në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë ai.
Sveçla gjithashtu tha se sulme të tilla nuk do të na zmbrapsin dhe u shpreh i bindur se nuk do t’i frikësojnë e ndalin as qytetarët.
“Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin asesi dhe jam i bindur se nuk do ti frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë. Rendi e ligji do të triumfojnë me çdo kusht mbi terrorin”, është shprehur tutje ministri Sveçla.
Sulmohet me koktej molotovi lokali në veri ku qëndroi ministri Sveçla
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?