Sulmi terrorist në Belgjikë më 2016, gjashtë persona shpallen fajtorë për vrasje

Një gjykatë në Belgjikë ka shpallur gjashtë burra fajtorë për vrasje për rolin e tyre në sulmet me bombë të vitit 2016 në Bruksel, nga ku mbetën të vrarë 32 persona dhe plagosën më shumë se 300 të tjerë.
Në mesin e personave të dënuar është Salah Abdeslam, i cili tashmë po vuan dënimin e përjetshëm në Francë për rolin e tij në sulmet e Parisit në 2015, shkruan DW, përcjell rtv21.tv.
Vendimi mbyll një kapitull në gjyqin më të madh në historinë gjyqësore të Belgjikës, me më shumë se 900 paditës civilë që morën pjesë në çështjen gjyqësore që filloi në dhjetor.
Shpërthimet, të cilat u morën përsipër nga i ashtuquajturi grupi terrorist “Shteti Islamik”, synuan një stacion të frekuentuar të metrosë në orën e pikut dhe aeroportin Zavantem. Viktimat ishin nga pothuajse një duzinë vendesh.
Tetë nga 10 të pandehurit u akuzuan për 32 akuza për vrasje terroriste, tentativë për vrasje terroriste të 695 personave dhe pjesëmarrje në aktivitetet e një grupi terrorist.
Gjashtë u dënuan për vrasje terroriste, ndërsa katër të tjerët në gjyq u liruan ose përballen me akuza të tjera.
Një nga të pandehurit mendohet se ka vdekur në Siri dhe është gjykuar në mungesë. Një tjetër u akuzua vetëm për pjesëmarrje në një grup terrorist.
E njëjta celulë terroriste organizoi si sulmet në Bruksel ashtu edhe në Paris, të cilat synuan teatrin Bataclan dhe stadiumin kombëtar të Francës, duke vrarë 130 njerëz dhe duke plagosur 350.
Që nga fillimi i korrikut, 12 anëtarët e jurisë kishin diskutuar mbi 300 pyetje që gjykata u kishte kërkuar t’i shqyrtonin përpara se të arrinin një vendim. Gjyqi u mbajt në ish-selinë e NATO-s dhe u vlerësua të kushtonte të paktën 35 milionë euro.
Pas vendimit, dënimi do të vendoset në një proces të veçantë dhe nuk pritet para shtatorit. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?