Sulmet dhe akuzat e presidentes ndaj gazetarëve

Akuzat e mbrëmshme në rrjetin social facebook duket se nuk i mjaftuan. Një ditë pasi tha se “disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shikoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë” presidentja Osmani rëndoi akuzat edhe më tej. Ajo tha se kur hetohen Radojiçiqat dalin bashkëpunëtorët e tyre”, duke aluduar në gazetarë, të cilët sipas saj, e dinë se kush janë.
“Nuk janë hetuar gazetarët, është hetuar tjetër kush, janë hetuar Radojiçiqat, s’ka pasur asnjëherë nevojë të hetohen disa gazetarë ose më qartësisht nuk po dua të përmend termin gazetarë sepse nuk po dua juve të ju fus në thes me njerëz të tillë. Kur hetohen Radojiçiqat dalin bashkëpunëtorët e tyre, natyrisht që institucionet tona të sigurisë e kanë detyrë shtetërore, morale, ligjore që të hetojnë deri në fund çdo bashkëpunim që e ka rrezikuar Republikën e Kosovës, përfshirë plane për grushtet, përfshirë rrezikime të ndryshme që i janë bërë dhe i bëhen Kosovës. Për atë arsye ekzistojnë institucionet tona të sigurisë, por kjo nuk nënkupton që janë hetuar gazetarët, janë hetuar njerëz të tjerë dhe pastaj kanë dal shumë prova. Pse nuk e kam thënë më herët? Institucionet e sigurisë janë ende duke vazhduar hetimet dhe është vlerësim i tyre që nuk duhet të dalin publikisht me emra dhe mbiemra, sepse kjo do të pengonte hetimet. Dhe unë nuk dua të pengojë hetimet, e dinë ata kush janë, e kanë mizën pas veshi. Prandaj edhe më sulmojnë mua për shkak të qëndrimeve kundër Listës Serbe. Prandaj tentojnë të sulmojnë vajzat e mia të mitura, kjo është komplet politike”, tha Osmani.
Lidhur me akuzat e Osmanit për veprimtari të kundërligjshme të siç ka thënë ajo të disa të të ashtuquajturve gazetarë dhe për bashkëpunim të tyre më terroristin Millan Radoiçiq, RTV21 iu drejtua Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Prokuroria tha se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga ana e saj.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se asnjë gazetar nuk është nën hetim nga Prokuroria Speciale dhe nuk ka asnjë rast të hapur që përfshin gazetarët. Prokuroria Speciale vazhdon të veprojë në përputhje të plotë me ligjin, duke ruajtur pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin në çdo rast”, deklaroi Luta.
Sulmet dhe akuzat e presidentes Osmani ndaj gazetarëve për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës janë të papranueshme. Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha tha se akuzat e tilla vënë në rrezik sigurinë e gazetarëve.
“Sulm i paprecedent ndaj mediave dhe i rrezikojnë gazetarët. Akuzat e saj rrezikojën sigurinë fizike të gazetarëve’, tha Rexha.
Vala e akuzave të presidentes Osmani ndaj gazetarëve erdhi pas raportimit nga media online Paparaci, rreth shkollimit të vajzave të presidentes Osmani në shkollë private dhe përcjelljen e tyre nga mbrojta e afërt, raportim të cilin Osmani e ka cilësuar si përndjekje ndaj vajzave të saj.
Profesori universitar në departamentin e Gazetarisë, Alban Zeneli, thotë së çështja në fjalë përbën interes publik dhe asessi përndjekje.
“Vendimi i presidentes për largim të vajzave nga shkolla publike parqet interes publik dhe është temë për gazetar. Reagimi i osmanit është i pavend. S’ka pas shenjë që ndalon xhirimin në atë hapësirë”, deklaroi Zeneli.
Përveç presidentes Osmani, pas rastit në fjalë sulme ndaj gazetarëve bëri edhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu duke thënë se gazetarët “po bëjnë nxitje për dhunë ndaj fëmijëve”./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?