Kaloni te përmbajtja kryesore

Sporti si forcë bashkuese, sukseset dhe sfidat e të verbërve në Kosovë

Federata e Sporteve për të Verbër në Kosovë po shënon hapa të mëdhenj drejt afirmimit ndërkombëtar, me synime ambicioze në arenën evropiane dhe botërore.

Pjesëmarrja për herë të parë në Kampionatin Evropian të Futbollit për të Verbër në Poloni dhe përgatitjet për Olimpiadën e Shahut në Serbi, shënojnë një kapitull të ri për këtë federatë.

Sa i përket evropianit të futbollit, kryetari i kësaj federate, Rinor Ymeri, thotë për KosovaPress, se skuadra po përgatitet për rezultate shumë të mira.

“Sa i përket sporteve për të verbër, mund të them që është për herë të parë një aktivitet më të madh që ekziston dhe që marrim pjesë, përveç që kemi marrë pjesë në olimpiadën botërore të shahut për të verbër 2017-2021, por ky është kampionati evropian i futbollit në të cilin marrim pjesë, është ndër evenimentet më të mëdha që organizohet…Do të mbahet në Krakova të Polonisë nga data 29 qershor deri më 7 korrik. Synimet tona janë të mëdha për shkak se kombëtarja është shumë e mirë, së fundi kemi edhe një lojtar që ka pranuar të luajë për kombëtaren tonë, është një superlojtar është shumë i ri, e ka refuzuar Kanadën dhe ka pranuar të luajë për ne dhe synimet janë shumë të mëdha”, ka thënë Ymeri

Përveç evropianit të futbollit, Federata e Sporteve për të Verbër, synon të marrë pjesë edhe në Olimpiadën e Shahut që mbahet çdo katër vite dhe këtë vit zhvillohet në Serbi, raporton KosovaPress.

Ymeri bën të ditur se paraprakisht po kërkojnë që të sigurohen që Kosova atje do të lejohet të paraqitet me të gjitha simbolet shtetërore dhe të mos jenë të diskriminuar në këtë aspekt.

“Këtë vit mbahet në Serbi. Problemi më i madh është te simbolet ku iu kemi drejtuar me një shkresë organizatës IBCA-së (Federata Ndërkombëtare e Shahut), por njëkohësisht edhe organizatorit. Për shkak të disa problemeve që kanë ndodhur në të kaluarën me sportistët kosovar dhe kam bërë pyetje se si do të bëhet organizimi, a do të luhet me simbole apo do të luhet pa simbole, vetëm nuk duam të jemi të diskriminuar por të jemi sikur të gjithë dhe ende nuk kemi marrë përgjigje”, bën të ditur Ymeri.

Derisa synohen suksese të tjera në të ardhmen, Ymeri tregon se cili është suksesi më i madh i arritur nga Federata e Sporteve për të Verbër deri më tani.

“Suksesi kulminant ka qenë në vitin 2023 kur në turnirim tradicional që mbahet në Malmo të Suedisë në golball që mbahet nga viti 1987, është turnir shumë i madh ku aftësia e kufizuar merr pjesë në të gjitha sportet ekzistuese, kemi dal si nënkampion dhe dy herë radhazi në Suedi dhe njëherë në Greqi golashënuesi më i mirë i turneut ka dal lojtari nga Kosova, Shqipron Koliqi. Ky ka qenë suksesi më i madh i federatë edhe pse ndonjëherë kanë marrë pjesë edhe klubet më Malmo”, thekson Ymeri.

Ymeri ka bërë thirrje që Ministria e Sportit apo Drejtoritë e Kulturës nëpër qytete t’i ndihmojnë klubet e kësaj kategorie pasi pa mbështetje financiare, ato nuk mund të ekzistojnë.

“Nuk është buxheti i majftueshëm, është normale për shkak se sikur ta kishim buxhetin e mjaftueshëm nuk do të kishim nevojë t’i fusim federatat tjera në implikime për këtë arsye. Por, pavarësisht kësaj, klubet kanë nevojë për ndihmë, klubet e golballit të cilat në secilin qytet ekzistojnë, drejtoritë e kulturës duhet t’i ndihmojnë për të ekzistuar ato si klube sepse ne si federarë nuk kemi se si të ekzistojmë pa i pasir klubet. Klubet janë në gjendje jo të mirë, ndihma më e madhe do të ishte që jo ne si federatë por të ndihmohen klubet e federatës që ekzistojnë nëpër të gjjtha qytetet”, thotë Ymeri

Sipas Ymerit, përtej rezultateve e objektivave sportive, për këtë kategori, sporti është një dritare shumë e rëndësishme për shoqërim dhe socializim.

“Shumica e klubeve, shumica e sportistëve janë të verbër, është shumë një mundësi e mirë për shkak se organizimet të cilat i bëjmë, bashkohen, njihen shumë, dalim, kemi aktivitete që i bëjmë edhe në Kosovë por edhe në Shqipëri. Do të thotë përveç sportit, është një takim, është socializim…Kur bëhen organizime jemi të gjithë bashkë, udhëtojmë diku 50 deri 70 persona , e mbajmë një aktivitet brenda tri apo katër ditëve , është një mundësi shumë e mirë të shfrytëzohet edhe si sport edhe si socializim”, thekson në fund Ymeri.

Përtej garave dhe rezultateve sportive, Federata e Sporteve për të Verbër, luan një rol të rëndësishëm në përfshirjen sociale dhe fuqizimin e kësaj kategorie në shoqëri./kp

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button