Kaloni te përmbajtja kryesore

Sfidat e Kosovës në arenën ndërkombëtare pas zgjedhjeve

Ndonëse fushata zgjedhore ende nuk ka nisur zyrtarisht, subjektet politike tashmë po zhvillojnë aktivitetet zgjedhore, takime me qytetarët dhe adresime publike. Në mesin e zotimeve të tyre si rëndom, janë pagat më të larta, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i të bërit biznes dhe një Kosovë më e sigurt. Megjithatë, anash premtimeve, qeverinë e re që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, do ta presin një numër sfidash, veçanërisht, rikthimi në tryezën e bisedimeve në Bruksel dhe zbatimi i marrëveshjeve të cilat u arritën gjatë qeverisë Kurti 2, çështje të cilat në kohë fushate nuk përmenden asnjëherë.

“Çdo qeveri që vjen përveç përmirësimit të jetës së qytetarëve në aspektin ekonomik, prioritet i politikës së jashtme është rikthimi në arenën ndërkombëtare, një nga obligimet primare është dialogu me Serbinë dhe obligimi kryesor janë implementimi i marrëveshjeve që ka pranuar Kurti në Bruksel dhe Ohër pra implementimi i të gjitha pikave dhe një nga to është edhe statuti i asociacionit…”, tha Prenkaj për rtv21

Takimi i fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi u mbajt më 11 shtator, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Peter Sorensen, në nivel kryenegociatorësh. Kosova në këtë takim u përfaqësua nga Besnik Bislimi i cili u kritikua për pjesëmarrjen e tij, meqë, siç u tha, qeveria në detyrë nuk ka legjitimitet për të dialoguar me Serbinë. Ndërkohë, BE ka deklaruar se do të ketë takim të nivelit të lartë të dialogut sapo situata ta lejojë një gjë të tillë. Megjithatë, ish-diplomatja Alma Lama, hedhë poshtë mundësinë që Kosova dhe Serbia të ulen në tryezën e dialogut para formimit të një qeverie legjitime.

“Pa qeveri të re nuk mund të ketë dialog sepse përfaqësuesit në Kosovë duhet të kenë legjitimetet…”, u shpreh Lama për rtv21

Viti 2025, në Kosovë cilësohet si i humbur në të gjitha aspektet, subjektet politike gjatë kësaj kohe akuzuan njëra-tjetrën për situatën e krijuar dhe ngërçin në të cilin hyri Kosova. Megjithatë, Ambasadori Albert Prenkaj, thotë se për çështjen e dialogut dhe zotimeve që ka marr Kosova në Bruksel dhe Ohër, subjektet politike do të duhej të ishin të sinqertë me qytetarët e Kosovës.

“LVV e ka kthyer në një gogol dialogun me Serbinë dhe meqë është pra negocimi me Serbinë, që është Lista Serbe që është veriu i Kosovës dhe këtij gogoli duket se po i frikësohen edhe partitë e tjera politike dhe për nevojë krejt populiste që të gjitha partitë së bashku nuk hyjnë që të ngrisin këtë temë këtë çështje që është një nga çështjet strategjike të politikës së jashtme të Kosovës e që partitë politike do të duhej të ishin të sinqertë me qytetaët e Kosovës.”, tha ai.

Përveç rikthimit në dialog, qeveria e re që do të dalë pas 28 dhjetorit punë kryesore ka gjithashtu rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-të i cili u ndërpre gjatë këtij viti, heqjen e masave të BE-së dhe nisjen e zbatimit të agjendës Evropiane në kuadër të planit të rritjes, meqë, si shkak i këtyre “penalizimeve” Kosova po vazhdon të humbasë qindra miliona euro të cilat do ta ndihmonin Kosovën të përafrohej me shtetet e BE-së./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button