Rimbursohen mbi 12 mijë pensionistët e parë që kishin tërhequr 10% të mjeteve të Trustit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka transferuar 5.4 milionë euro tek Trusti pensional, për të rimbursuar grupin e parë të kontribuesve që kishin tërhequr 10% të mjeteve nga Trusti.
Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
Shpërndarja nëpër llogari të 12,090 kontribuesve është realizuar nga TRUST gjatë ditës së sotme, në përputhje me metodologjinë e dakorduar në mes të MFPT dhe TRUST.
Rimbursimi këtë vit është bërë për personat të cilët kane dalë apo pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2023.
Ministria tha se rimbursimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm për personat që pritet të dalin në pension gjatë vitit 2024 e kështu me radhë, deri në përmbylljen e plotë të rimbursimit për të gjitha gjeneratat e tjera deri në vitin 2028.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të sigurojë shumën vjetore të rimbursimit, ndërsa TRUST do të bëjë shpërndarjen e shumave direkt tek qytetarët. Pra, për rimbursim nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasi që rimbursimi realizohet automatikisht nga TRUST”, thuhet në komunikatën e MF-së. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?