Rikthehet në punë gjyqtari që u suspendua pasi i hoqi masën e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqës

Gjyqtari Agim Kuçi është kthyer në vendin e tij të punës. Ai ishte suspenduar për heqjen e masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën, i cili ishte dënuar nga shkalla e parë me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.
Kuçi gjendej nën masën e suspendimit me vendimin e datës 21 maj 2024, kurse më 24 janar 2025 është revokuar vendimi për suspendimin e tij.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka konfirmuar këtë për KALLXO.com.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), më datë 24 janar 2025 në rastin disiplinor e ka revokuar vendimin KGJK.Nr. 124/2024, të datës 21 maj 2024, për suspendimin e gjyqtarit – subjekt i hetimit” – thuhet në përgjigjen që ka dhënë Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Enver Sekiraqa më 03.05.2024 ishte dënuar me 25 vite burgim për nxitje në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.
Në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari i çështjes, Agim Kuqi kishte marrë vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?