Kaloni te përmbajtja kryesore

​Reagimet botërore për “zgjedhjet” në Rusi

Kanë ardhur reagime të tjera të qeverive dhe zyrtarëve të huaj ndaj “zgjedhjeve” presidenciale të Rusisë, në të cilat Vladimir Putin fitoi bindshëm një mandat tjetër gjashtëvjeçar në detyrë. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare e Shtëpisë së Bardhë tha se “zgjedhjet nuk janë padyshim të lira dhe as të drejta duke pasur parasysh se si Putin ka burgosur kundërshtarët politikë dhe ka penguar të tjerët të konkurrojnë kundër tij”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në reagimin e tij ndërkaq ka thënë se “këto ditë, diktatori rus po simulon një tjetër zgjedhje. Është e qartë për të gjithë në botë se kjo figurë, siç ka ndodhur shpesh në rrjedhën e historisë, është thjesht e sëmurë për pushtet dhe po bën gjithçka për të sunduar përgjithmonë.” “Nuk ka legjitimitet në këtë imitim të zgjedhjeve dhe nuk mund të ketë. Ky person duhet të gjykohet në Hagë. Këtë duhet ta sigurojmë,” ka thënë ai.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka reaguar në X duke thënë se “pseudo-zgjedhjet në Rusi nuk janë as të lira dhe as të drejta, rezultati nuk do të befasojë askënd”. “Sundimi i Putin është autoritar, ai mbështetet në censurë, represion dhe dhunë. “Zgjedhjet” në territoret e pushtuara të Ukrainës janë të pavlefshme dhe një shkelje tjetër të së drejtës ndërkombëtare”. Ndërsa, Ministria e Jashtme e Polonisë ka thënë se “nga data 15-17 mars 2024, në Rusi u zhvilluan të ashtuquajturat zgjedhje presidenciale. Votimi u zhvillua në kushte represioni ekstrem ndaj shoqërisë, duke e bërë të pamundur zgjedhjen e lirë, demokratike.”
Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button