Dyshime për një tjetër varrezë masive në Zubin Potok, PSRK dhe Policia kërkojnë leje për zhvarrime në një lokacion të ri

Dyshimet për varrezë masive në Zubin Potok, PSRK dhe Policia njoftojnë se kanë kërkuar leje për zhvarrim edhe në një lokacion tjeter
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se gjatë veprimeve hetimore lidhur me rastin në Zubin Potok është identifikuar një lokacion i dyshuar në fshatin Jabukë, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Prokuroria ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme. Pas marrjes së autorizimeve, veprimet do të zhvillohen në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe institucionet tjera kompetente.
Deklarata e plotë e Sistemit Prokurorial
Komunikatë e përbashkët me Policinë e Kosovës
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njofton se sot, më 2 gusht, gjatë veprimeve në terren është identifikuar një lokacion i dyshuar në fshatin Jabukë, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme.
Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të luftës dhe institucionet e tjera kompetente do të ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Raportohet edhe për një varrezë masive në Zubin Potok
U gjet edhe një varrezë masive në komunën e Zubin Potokut, mëson KosovaPres.
Kjo është varreza e dytë që u gjet ditëve të fundit në këtë komunë.
Më parë u gjet një varrezë masive që dyshohet se të jetë e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998-1999 në fshatin Kalludër e Vogël.
Gërmimet në këtë fshat të Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve nga autoritetet kosovare.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?